Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shpërthyer në akuza të forta jashtë dyerve të Gjykatës së Tiranës pas dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit Ervin Salianji.
Bardhi tha se ky është një vendim politik që u ekzekutua nga gjyqtari, anëtar i bandës së Lushnjes.Ai paralajmëroi se shumë shpejt akuzat e tij do të provohen sapo ky gjyqtar ti nënshtrohet vettingut.
Gazment Bardhi: Asnjë surprizë që gjyqtari, anëtari i bandës së Lushnjes, Artan Gjermeni do të merrte këtë vendim ndaj një përfaqësuesi të PD që ka futur në burg bashkëpunëtorët e tij, anëtarë të bandës së Lushnjes.Mbani mend këtë që po ju them, në momentin që zotëria do të kalojë në vetting do të shikoni që kjo që ju them është e vërtetë.
Sot Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi nuk janë dënuar nga drejtësia, nuk janë dënuar nga gjykata por nga një anëtar i bandës së Lushnjes. Prokuroria dhe Gjykata kanë marrë një vendim politik për të mbrojtur bandën e Agron Xhafës, trafikantët e drogës në qytetin e Vlorës dhe për ti mbyllur gojën opozitës dhe medias.
Garantojmë se ky vendim për dënimin e përfaqësuesit të opozitës Ervin Salianji dhe gazetarin Olldashi nuk do të na ndalë në betejën e përditshme me qeverinë që bashkëpunon me krimin e organizuar por na bën më të fortë për të vazhduar betejën jo vetëm me përfaqësues të krimit në qeveri por edhe përfaqësuesit e krimit në prokurori dhe gjykatë.
Salianji përmes avokatëve të tij kishte kërkuar në vijim ndryshimin e gjyqtarit.