“Nuk do të ketë asnjë tolerancë për farmacitë që abuzojnë me shëndetin e qytetarëve. Masat do të përshkallëzohen, jo vetëm gjoba por edhe heqje licence për subjektet që shkelin rregullat”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së hapjes së panairit mjekësor Medical Expo që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Task-forca e ngritur nga Ministrja Manastirliu vazhdon me intensitet kontrollin e farmacive për tregtimin e barnave pa recetë dhe jashtë kushteve të ruajtjes së barnave.

Që nga krijimi i Task-Forcës, janë kontrolluar 204 subjekte farmaceutike në të gjithë vendin, nga të cilat 79 subjekte farmaceutike janë dërguar pranë Urdhrit të Farmacistëve për rishikimin e licencës.

Gjatë kontrollit të farmacive rezultojnë 90 shkelje administrative, nga të cilat pjesa më e madhe për tregtimin e barnave pa recetë.

 

Më konkretisht:

• 38 subjekte “Tregtimi i barnave pa recetën e mjekut”

• 34 subjekte “Mungesa e recetave të ekzekutuara sipas klasifikimit”

• 10 subjekte “Farmacia tregton barna pa pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM-ja”

• 7 subjekte “Mosrespektimi i kushteve të ruajtjes dhe tregtimit me pakicë të barnave”

Task-Forca për kontrollin e barnave, është e përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve, që do të ushtrojnë kontrolle në çdo subjekt farmaceutik. Kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim që të gjitha farmacitë të respektojnë ligjin për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Artikulli paraprakPËRGJIMET E GRUPIT TË SHIJAKUT, BASHA: VANGJUSH DAKO DUHET TË MERRET I PANDEHUR
Artikulli tjetërFIER, I SËMURI ME PROBLEME MENDORE I VENDOS ZJARRIN BANESËS DHE MBYLL BRENDA NËNËN ME MOTRAT