Shtetasit shqiptarë mendojnë se shteti i tyre është më i korruptuar në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas rezultateve të fundit të sondazhit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Barometrin e Ballkanit për vitin 2023.

38% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është një problem i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Ky perceptim është më i larti në rajon në 2023, me një diferencë prej 12 pikë përqindje në krahasim me shtetin e dytë pas nesh, Bosnjë Hercegovina me 26% dhe Maqedonia e Veriut po me 26%.

Për Malin e Zi dhe Serbinë treguesi është 25%, ndërsa shtetasit e Kosovës kanë perceptimin më të ulët të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, me 22%. Mesatarja e rajonit është 27%.

Përqindja e shqiptarëve që mendojnë se korrupsioni është shqetësim për ekonominë e vendit është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, kur treguesi ishte 27% dhe vendi renditej i treti pas Bosnjë Hercegovinës (34%) dhe Serbisë (28%).

Ndryshe nga gjithë vendet e tjera të Ballkanit, vetëm Shqipëria ka pësuar një përkeqësim kaq të lartë të perceptimit të korrupsionit. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje të lehtë me një pikë përqindje, ndërsa në shtetet e tjera perceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka rënë, sidomos në Bosnjë Hercegovinë. (shiko grafikun: Cilat mendoni se janë problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia?- KORRUPSIONI).

Shqetësimi më kryesor për shtetasit shqiptarë është ekonomia, me 50% të të anketuarve. Gjithsesi, ky nivel është i treti në rajon, pas Maqedonisë së Veriut (55%) e Malit të Zi (51%) dhe në nivele të ngjashme me Serbinë.

Një tjetër problem që është më shqetësues për shtetasit shqiptarë sesa për vendet e tera të rajonit është emigrimi i turrit.

41% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se ikja e trurit dhe emigracionit janë problem i rëndësishëm, shumë më i lartë sesa në shtetet e tjera dhe mesatarja rajonale prej 26%.

Shtetasit shqiptarë nuk shqetësohen për krimin, me vetëm 10% të tyre që mendojnë se është problem, më i ulëti në rajon. Rekordin për këtë tregues e mban Mali i Zi me 17%.

Shtetasit e Kosovës kanë një perceptim interesant për problemet që ata kanë mendojnë se ka ekonomia e tyre.

Ndërsa për situatën ekonomike janë më pak të shqetësuarit në rajon (26%, përkundrejt 47% që është mesatarja rajonale), ata mendojnë se një problem shumë i rëndësishëm është sistemi i edukimit, me 34%, nga 11% që është mesatarja rajonale. Në kontrast, vetëm 3% e të anketuarve shqiptarë e shikojnë sistemin e edukimit si një problem kryesor për ekonominë e tyre.

Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.

Artikulli paraprakAKSIDENTI TRAGJIK ME VDEKJEN E 5 SHQIPTARËVE NË GREQI,MEDIAT GREKE: ISHIN PUNËTOR SEZONAL
Artikulli tjetërAKSIDENTI ME 5 SHQIPTARË TË VDEKUR NË GREQI, IDENTIFIKOHEN KUSH JANË VIKTIMAT