Klubi i Basanias ka filluar të mendojë për riorganizimin e skuadrës në ditët e fundit të këtij viti. Drejtuesit e klubit kanë konfirmuar trajnerët që do ta drejtojnë këtë skuadër në gjysmën e dytë të sezonit. Në fakt, bëhet fjalë për një dyshe që e ka drejtuar këtë ekip edhe në ndeshjet e fundit, pas largimit të Haris Likës, të cilët janë Erjon Mani dhe Mario Kola. Një gjë e tillë bëhet e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të këtij klubi, ku shkruhet:

“Ka qenë në filozofinë e Basanias që në ditët e para që është krijuar, që fëmijëve dhe të rinjve të zonës që dashurojnë futbollin, t’iu ofrojmë një adresë sa më afër, cilësore dhe korrekte, ku ata të ndjekin ëndrrën e tyre. Të njëjtën filozofi, pavarësisht sa është kuptuar, kemi ndjekur edhe për ekipin e parë. Kemi patur disa djem pasionant që iu është dhënë mundësia që fillimet e veta të trajnimit, ti nisin ose t’i vijojnë nga Basania. Si rezultat i këtij koncepti, kemi vendosur që ekipin e parë të Basanias për fazën e dytë të sezonit, t’i besohet Erjon Manit dhe Mario Kolës. Dy djem pasionant që kanë dhënë në vite kontributin e tyre tek ekipet e moshave të Basanias, por edhe tek ekipi i parë, të cilët e njohin mjaft mirë grupin, ambientin dhe frymën e funksionimit”-shkruhet në postimin e klubit të Basanias.

Edhe pse mes shumë vështirësive, duke patur jo pak probleme edhe me arbitrimin në ndeshjet e fundit të këtij viti, Basania synon të vijojë drejt objektivave të saj të vendosura që nga fillimi i sezonit, teksa në ditët në vijim tek ky ekip pritet të zyrtarizohen edhe afrime të reja në merkato.

Artikulli paraprakFESTA E SHËN SHTJEFNIT
Artikulli tjetërPAS 5 ORËSH, VELIAJ DEL NGA SPAK: DO JU SQAROJ ÇDO GJË NGA MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK