Basania ka bërë realitet një tjetër ëndërr. Ajo ka triumfuar edhe në finale ndaj ekipit të Memaliajt me rezultatin e pastër 3-0 dhe në këtë mënyrë, është shpallur kampione e Kategorisë së Tretë. Ndeshja e luajtur në stadiumin e qytetit të Vorës, u shoqërua me shumë emocione. Të dy ekipet kishin rastet e tyre të shënimit. Megjithatë, goli vonoi të dalë në dritë. Në fakt, ishte minuta e 80-të, kur sulmuesi Albert Mila arriti të shënojë golin e shumëpritur, duke ngritur në delir tifozët e kësaj skuadre, por edhe pjesëtarët e tjerë të saj. Megjithatë, ndeshja nuk do të mbyllej këtu, sepse tre minuta më vonë do të ishte Egzon Shimaj që do të dyfishonte shifrat. Ndërkohë që, para fundit të ndeshjes do të kishte vend edhe për një gol të tretë, të shënuar nga futbollisti Flori Leka. Përfundimisht, 3-0 për Basanian që kështu shpallet kampione e Kategorisë së Tretë. Një sukses mëse i merituar ky i të gjithë futbollistëve dhe poashtu i trajnerit Fatjon Hasanaj, që ka bërë një punë të shkëlqyer me ekipin dhe mbi të gjitha edhe për presidentin Ermir Shimaj. Ndërkohë, sezonin e ardhshëm, Basania do të luajë në Kategorinë e Dytë, teksa kuptohet se sërish do të jetë me shumë ambicie për të ardhmen.