Për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha ndryshimi vjen nga vetvetja, ku në thelb është forcimi i demokracisë së brendshme.
Në një takim me të rinjtë në Qytetin Studenti, në Ditën e Rinisë, kreu i PD premtoi se grupi i ardhshëm parlamentar demokrat do të ketë 35% të tij rini, që do të zgjidhen lirisht nga të rinjtë. “Dua t’u them se liria fillon nga shtëpia jonë, nga liria për të shprehur pa asnjë kompleks mendimin tuaj, liria për të mos qënë servil i kryetarit, apo deputetit, për të qënë vetvetja, forca më e madhe në PD. Të forcojmë demokracinë e brendshme, 35% e kandidatëve për grupin e ardhshëm parlamentar të PD do të vijnë nga ju dhe ju do të jeni ata që do t’i zgjidhni lirisht me votën tuaj, sipas aftësive të tyre”, deklaroi Basha para të rinjve. Sipas kreut të PD-së shqiptarët sot e presin një mesazh nga të rinjtë, dhe ky mesazh është refuzimi i gjendjes së vendit, “refuzojmë të jemi skllevër të një autokracie të veshur si demokraci, të një ekonomie të kontolluar nga pushteti dhe klientët e saj”. Forca e madhe e papërballueshme e një shoqërie është rinia që lufton për liri, theksoi Basha.