Kryetari i Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për keqpërdorimin e fondeve publike dhe gjendjen ekonomike të vendit. Në një postim të ditës së sotme (3 Janar) në rrjetin social Facebook, Basha thekson se ndërsa gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri, sipas të dhënave të EUROSTAT, ‘kryeministri shpërdoroi 430 milionë lekë për një kopsht në oborrin e zyrës së tij’.

“Shqipëria ka potencialin të jetë një vend i mundësive të mëdha, por sot qeveritarët janë të zënë duke mbushur xhepat e tyre,” u shpreh Basha, duke prezantuar një vizion ndryshe për vendin.

Basha i bën thirrje SPAK të nisë hetimet ndaj kryeministrit për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik ndaj qytetarëve. Ai theksoi se qeveria aktuale nuk po punon për mirëqenien e qytetarëve, por për interesat e saj personale.

Postimi i plotë i Bashës:

“Shqipëria ka të gjithë potencialin të jetë një vend i mundësive të mëdha për çdo shqiptar: të ketë punë dhe paga të larta për të rinjtë, trajtim dinjitoz për ata në nevojë apo të sëmurë, pensione të denja për pensionistët, shërbim shëndetësor bazuar në nevojën dhe jo xhepin e tyre, dhe arsim cilësor për të gjithë. Plani ynë i hartuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj dhe i shpalosur në detaje për qytetarët e dëshmon këtë. Por sot, asgjë nga këto nuk ndodh, sepse qeveritarët janë të zënë duke mbushur xhepat e tyre, në vend që të punojnë për të mirën e shqiptarëve. Sipas Eurostat, afërsisht gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri, ndërsa natën e Vitit të Ri shumica e tyre e kanë kaluar me sfidën për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe ngrohje për fëmijët. Ndërkohë, Edi Rama i sfidon ata duke treguar se vetëm për egon e tij, ka shpenzuar rreth 430 milionë lekë për një kopsht në oborrin e zyrës së tij—pa asnjë përfitim për qytetarët shqiptarë. Kjo është një arsye e mjaftueshme që SPAK të nisë menjëherë hetimet ndaj Edi Ramës për shpërdorim detyre me pasojë dëm ekonomik. Që nga dita e parë në pushtet, ai e ka trajtuar Shqipërinë si pronë private, duke i bashkëndarë pasuritë e vendit miqve nga bota e krimit dhe biznesit”.

Artikulli paraprakNIS KTHIMI I TURISTËVE, FLUKS NË MURIQAN
Artikulli tjetërDISA TURISTË MBETEN TË BLLOKUARA NË QAFËN E THORES PËR SHKAK TË RESHJEVE TË BORES