Nga Brukseli, ku ka marrë pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane, kryetari i PD Lulzim Basha ka deklaruar se mes vendeve anëtare ka stepje përsa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
“Vendet anëtare kanë shqetësim të madh në drejtim të sundimit të shtetit ligjor, luftës kundër krimit dhe luftës kundër korrupsionit. Mbrojtja politike e Tahirit dhe arratisja e 3 oficerëve të akuzuar për drogë ka lënë shije të hidhur”, ka deklaruar Basha. Sipas kreut të PD, vendet anëtare po ngrenë të njëjtat probleme që opozita denoncoi në 4 vjet: kriminalizimin e politikës, mbulimin e Shqipërisë me drogë dhe përdorimin e parave të drogës në ekonomi e politikë. “Ndërgjegjësimi i vendeve anëtare për problemet e qeverisë mund të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë, duke ndëshkuar qytetarët shqiptarë.
Kjo është një gjendje jashtëzakonisht e papëlqyeshme për opozitën. Interesi ynë është ai kombëtar”, ka vijuar Basha, sipas të cilit zgjidhja politike është ngritja e një qeverie antimafie. “Qeveria antimafia do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ka shtuar Basha.