KREU I PD TAKOHET ME MINISTREN E JASHTME TË ITALISË FEDERICHA MOGHERINI .
“Shqipëria është në rrezik nga kriza. BE nuk duhet të ketë një vlerësim të përciptë për situatën.”Me këto fjalë, i ka kërkuar më shumë vëmendje unionit europian, kryedemorkati Lulzim Basha, kërkesë që ia shprehu ministres së Jashtme italiane, Federicha Mogherini, vendi i të cilës mban Presidencën e radhës në BE.
Gjatë takimit, kreu i opozitës i tha kryediplomates italiane se situata politike në vend ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Në këtë kuadër, siç njofton zyra për shtyp e PD, Basha u ndal në rastet konkrete të kapjes së institucioneve dhe ndërprerjes së paligjshme të mandateve ligjore e kushtetuese si për kreun e ILDKP, AMA, INSTAT dhe së fundmi dhe Shkollën e Magjistraturës.
“Duke injoruar mesazhin e qartë dhe apelin e Bashkimit Europian se për reformën në drejtësi duhet gjithpërfshirje, konsultim dhe transparencë, qeveria tentoi të kalonte në parlament ligjet që kanë për qëllim kapjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në tërësi, dhe votoi ligjin me të cilin pezullon për një vit dhe kap Shkollën e Magjistraturës.” nënvizoi Basha.
Kryedemokrati e njohu ministren e Jashtme edhe me arsyet që e kanë detyruar PD-në të braktisë Kuvendin, duke deklaruar për herë të parë, se nëse opozita do të qendronte në Parlament, situata mund të precipitonte deri në gjakderdhje.
“Instalimi prej Kryeministrit në Parlament i instrumentit të dhunës përmes përdorimit të këtyre personave për të kërcënuar dhe goditur opozitën, ka krijuar një situatë tensioni politik dhe kjo e ka detyruar Partinë Demokratike të ndërpresë marrëdhëniet me Kuvendin, për të shmangur skenaret e gjakderdhjes”, mësohet të jetë shprehur Basha.
Në këtë pikë, kreui demokratëve është kujdesur që ti vërë në dukje zonjës Mogerini, se situate nuk është siç e cilësoi ajo një ditë më parë në konferencën me homologun Bushati, ku ajo vlerësoi dialogun konstruktiv të qeverisë me opozitës.
Mësohet se Basha qartësoi se jo vetëm që nuk ka konstruktivitet dhe dialog nga ana e qeverisë, por ka eleminim të çdo hapësire ligjore për opozitën dhe dhunime fizike ndaj anëtarëve të saj.
Nisur nga kjo gjendje, që Basha e cilësoi kritike, kryedemokrati kërkoi vëzhgim të kujdeshëm dhe analizë të thellë të situatës nga ana e Bashkimit Europian, pasi vlerësimet e përcipta të kësaj situate të mbarsur me rreziqe për stabilitetin, nuk i shërbejnë objektivave të përbashkëta të integrimit europian të Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike i përcjell ministres së Jashtme italiane Mogherini shqetësimin për situatën që ai e quan “kritike” në Shqipëri dhe kërkon monitorim dhe analizë të thellë nga Bashkimi Europian.