Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka postuar një video në facebook nga fjala e djeshme në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u mbajt në Beograd. Basha ka kritikuar ashpër përdorimin e retorikës nacionaliste nga politikanët e rajonit, duke e cilësuar si një taktikë për të shmangur përgjegjësinë. Sipas tij, konfliktet e ngrira po përdoren si një alibi për të shpëtuar nga llogaridhënia dhe sot Beogradi duhet të vërë para përgjegjësisë autorët e sulmit në Bajnskë, të cilët janë ende të lirë në Serbi.
Postimi i Bashës:
Është bërë praktikë e zakonshme e politikanëve të paaftë dhe të korruptuar që të fshihen pas retorikës nacionaliste.
Konfliktet e ngrira janë alibia për të shpëtuar nga përgjegjësia para qytetarëve dhe për t’i përdorur ata për interesa politike.
Nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Europës, do të monitoronin edhe zbatimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Pse nuk e do Beogradi zyrtar këtë? A i interesojnë vërtet serbët në Kosovë?
Kosova është e pavarur! Ky është një realitet i pakthyeshëm. Pavarësia e saj është njohur nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, dhe është konsideruar në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në vend të përpëlitjeve për të ruajtur konflikte të ngrira, sot Beogradi duhet të vërë para përgjegjësisë autorët e sulmit në Bajnskë, të cilët janë ende të lirë këtu në Serbi.