Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përshëndetur gjithashtu miratimin e Reformës në Drejtësi

, duke e cilësuar atë si një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre dhe për një drejtësi të sandardit europian, ku çdo gjë do të shoqërohet nga llogaridhënia për një drejtësi të pavarur dhe të pakapur nga duart qeveritare. Sipas tij, dita e parë e kësaj reforme shënon edhe fillimin e ditëve të fundit të kësaj qeverie.

 “Reforma në Drejtësi, që sot u miratua me konsensusin e plotë të Parlamentit të Shqipërisë, paketa kushtetuese që kaloi me votat e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës të bashkuara është një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit europian, për drejtësinë e dinjitetit të shqiptarëve, për drejtësinë e kushtetuetshmërisë, ku çdo përgjegjësi merret vetëm kur shoqërohet nga llogaridhënia, per drejtësinë e pavarur e për moskapjen e saj nga duart qeveritare.

Reforma në Drejtësi dhe vota e Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi janë një realitet bazuar mbi një draft të aprovuar prej Komisionit të Venecias, me kontributin e jashtëzakonshëm të Viktoria Nuland që dua ta falenderoj përzemërsisht, me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve europianë, komisionerit për Zgjerimin Johanes Hahn, kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian Elmar Brok, miqve tanë Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, kontributit të jashtëzakonshëm të ekspertëve ndërkombëtarë, ambasadorëve Lu dhe Vlahutin me të cilët debatet kanë qenë jo të pakta e të nxehta por gjithmonë të përqendruara në rolin dhe misionin e opozitës që ne e përmbushëm me sukses; konsensus, opozitën si gardiane të kushtetuetshmërisë, të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe moskapjes politike të drejtësisë.

Sot duhet të ishte një ditë përbashkimi. Por retorika e helmuar në Parlament vërteton se dita e parë e Reformës në Drejtësi është dhe fillimi i ditëve të fundit të kësaj qeverie. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur një qeveri e themeluar dhe e zhytur në korrupsionin dhe kriminalitetin më të paprecedentë në Ballkan u detyrua prej presionit ndërkombëtar dhe presionit të Partisë Demokratike të pranojë normat europiane, normat veneciane, normat amerikane të cilat që këtej e tutje janë një garanci më shumë për çdo qytetar shqiptar dhe një shqetësim më shumë për korrupsionin dhe kriminalitetin e kësaj qeverie.

Sot opozita ka vënë një gur themeli për një aleat të fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit; drejtësinë e pavarur. Nesër, me fillimin e zbatimit të kësaj reforme, beteja jonë kundër krimit dhe korrupsionit do të materializohet në çrrënjosjen e themeleve të këtij pushteti të korruptuar. Beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme e cila është beteja e ardhshme me mbështetje të plotë europiane dhe amerikane, eshtë premtimi ynë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Urime te gjithe shqiptarëve. Kjo është fitorja juaj. Jam krenar që isha pjesë e kësaj beteje në emrin tuaj, për fatet tuaja, të fëmijëve tuaj, për të ardhmen tuaj, për të ardhmen tonë të gjithë së bashku.”

Artikulli paraprakZHDUKET AVIONI USHTARAK ME 29 PERSONA NË BORD
Artikulli tjetërMIRATIMI I REFORMËS, KUKAN: URIME, TANI ZBATOJENI!