Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dhjetëra militantë të kësaj partie kanë përfunduar në spital për shkak se kanë pësuar irritime në sy gjatë mitingut të djeshëm në hapje të fushatës elektorale. Burime bëjnë me dije se pjesëmarrësit kanë pasur probleme me shikimin si dhe ënjtje në fytyrë. Në spital ka përfunduar edhe kreu i PD-së, i cili sipas burimeve të Ora News ka marrë mjekim mëngjesin e sotëm. Nga QSUT-ja bëhet me dije se të gjithë pacientët janë të prekur nga një intoksikacion, që do të thotë helmim që sjell kruajtje, acarim të syve, teshtima, etj. Sipas burimeve, mbi 50 persona kanë marrë trajtim mjekësor, 9 prej të cilëve janë shtruar në spital. Ende nuk dihet saktësisht lënda që ka shkaktuar irritimin, ndërsa do të jenë analizat ato që do të tregojnë përfundimisht rezultatin. Policia e Tiranës tha më herët se të paktën 50 persona kishin pasur shqetësime, ndërkohë që Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha se deri në orën 11:00, kishin ardhur për vizitë 76 persona. Një reaksion, prejardhja e të cilit është ende e paqartë ka prekur qytetarët që u ndodhën në rreshtin e parë dhe në një perimetër të afërt me liderin e opozitës Lulzim Basha. Duke reaguar mbi simptomat e pazakonta të militantëve të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë sqaron se midis pacientëve është edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili është paraqitur rreth orës 5 të mëngjesi në spital. Ministria sqaron: Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z.Lulzim Basha me simptoma të ngjashme. Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve. 76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së diel deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë. Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike. Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve. Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavijonin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme. Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave. Një prej dëshmitarëve dhe mbështetës i Partisë Demokratike rrëfen për gazetarët e se çfarë ndodhi gjatë ditës së djeshme. Ashtu sikurse Policia e Shtetit, edhe ai nuk di të thotë se pse është helmuar, ndërsa shton se ishte shumë pranë tribunës gjatë mitingut të PD-së mbrëmjen e së shtunës. Sipas tij, një vajzë ishte ndjerë disa herë keq. Edhe militantë të tjerë të PD-së që kanë përfunduar në spital thonë nuk i dinë shkaqet dhe ato nuk ua kanë sqaruar mjekët. Ata rrëfejnë për gazetarët se u kanë dhënë mjekim dhjetëditor. Dëshmia në video: Policia e Tiranës sqaron se 50 persona kanë përfunduar në QSUT për trajtim mjekësore me simptoma të ngjashme, kryesisht dhe skuqje, ndërkohë që vetëm tre prej tyre kanë qëndruar në spital për mjekim të mëtejshëm. Sipas policisë, këta shtetas kanë qenë pjesë e mitingut elektoral të Partisë Demokratike të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës. Njoftimi i policisë: Në datë 28.05.2017, rreth ores 04.00 te mengjesit në Q.S.U.T., jane paraqitur per ndihme mjekesore rreth 50 shtetas me simptoma te ngjashme, kryesisht djegie ne sy dhe skuqje lekure ne pjeset e sipërme te trupit. Nga verifikimet paraprake rezulton se keta shtetas kanë qenë pjesemarrës në aktivitetin e zhvilluar nga Partia Demokratike, mbajtur ne oren 19:00 te dates 27 maj, zhvilluar ne Bulevardin ‘Deshmoret e Kombit’ ne Tirane. Pasi jane mjekuar te gjithe shtetasit jane larguar per ne banese, veç 3 prej tyre qe kane patur me teper shqetesime dhe po mbahen nen kujdesin e mjekeve ne spital. Menjehere sapo ka marre njoftim, nen drejtimin e Prokurorise se Tiranes eshte ngritur grupi hetimor me eksperte nga Policia e Shtetit, Garda e Republikes, struktura te specializuara te Forcave te Armatosura etj. Nderkohe po kryhen gjithë ekzaminimet e nevojshme per te përcaktuar shkakun qe provokoi simptomat si dhe zbardhjen e plote te rrethanave te ngjarjes.

Artikulli paraprakKUJDESI NDAJ KUAJVE, MBAHET GARA E QËNDRESËS NË 20KM
Artikulli tjetërHELMIMI NE MITING, BASHA: TË ZBARDHET, NËSE NUK NDODH ,GJUNJËZIM I SHTETIT