Basha i përgjigjet Ramës: PD nga kjo betejë do të dalë më e fortë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kryeministri Edi Rama ka arritur të blejë gjithçka përveç Partisë Demokratike. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Basha thotë se pasi bëri një listë me kandidatë për deputetë pasuria e të cilëve kalon prodhimin kombëtar, sot u shtir sikur ka hallin e Partisë Demokratike. Basha: E gjithë karriera e Edi Ramës është ngritur mbi blerjen e të gjithëve dhe çdo gjëje, të partisë, të aleatëve, të partnerëve, të bizneseve, të mediave, të shoqërisë civile. Me zhagen e lejeve të ndërtimit, të koncesioneve, të favoreve, të parave publike, Edi Rama ka blerë rrugën e tij deri në majën e pushtetit. E vetmja që nuk ka blerë dot ndonjëherë Edi Rama ka qenë Partia Demokratike. Dje pasi mbylli edhe pazaret e fundit me ata që shiten dhe blihen, pasi bëri një listë kandidatësh me deputetë pasuria e të cilëvë e kalon edhe prodhimin kombëtar të Shqipërisë, Edi Rama kuptoi se prapë nuk mund të blejë dot pluralizmin dhe demokracinë, sepse demokratët e vërtetë nuk u shitën. Ndaj me dinakërinë e tij të zakonshme sot u shtir sikur ka hallin e Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka zgjedhur lirinë, pluralizmin dhe demokracinë e vërtetë. Kjo është kauza e drejtë, ky është shërbimi më i madh për popullin dhe për të ardhmen e Evropiane të Shqipërisë. Partia Demokratike do të dalë më e fortë nga kjo betejë, ndërsa Shqipëria do të ketë Republikën e Re, të vërtetë dhe perëndimore.