Glorja Shllaku e cila u zgjodh këshilltare bashkiake e Shkodrës nën siglën e PD që aso kohe drejtohej nga Lulzim Basha, ka njoftuar se do vazhdojë të jetë pjesë e PD-së që tashmë për momentin drejtohet nga Sali Berisha, sepse ende Gjykata e Lartë nuk e ka thënë fjalën e fundit sa i përket vulës së PD. Shllaku bëhet këshilltarja e dytë e cila tregon se do vijojë të përfaqësojë PD-në pas këtij qëndrimi që mbajti më parë edhe këshilltari tjetër Imeldi Sokoli. Përmes nje shkrimi analitik në rrjetin social facebook Shllaku shprehet se:

“Në këtë moment kritik për vendin tonë, ndjej se duhet të ndaj me ju disa mendime të rëndësishme mbi rrugëtimin tonë politik dhe angazhimin tim të sinqertë në Partinë Demokratike. PD ka lindur si simbol i shpresës për shqiptarët që kërkonin liri, demokraci dhe një të ardhme me dinjitet, larg nga e kaluara e errët komuniste. Ajo ka përfaqësuar gjithmonë vlerat e demokracisë, drejtësisë, si dhe integrimit në familjen Pse Partia Demokratike është në një udhëkryq? Çfarë po e pengon që të jetë alternativa e fortë dhe shpresëdhënëse për shqiptarët? Përgjigjja është e thjeshtë: mungesa e unitetit dhe interesat personale na kanë larguar nga idealet e përbashkëta që dikur na bashkonin”, shkruan Shllaku.

Më tej anëtarja e këshillit bashkiak të Shkodrës duke treguar pozicionimin e saj përkrah PD-së që drejtohet nga Berisha vijon duke thënë:

“Ne nuk duhet të harrojmë që dikur ishim një forcë e fuqishme, një familje që luftonte për të ardhmen e vendit. Sot, është koha të rifitojmë atë shpirt, të rilindim dhe të ndërtojmë së bashku një Shqipëri ku çdo qytetar ndjen shpresë për nesër. Për ata që ndihen të zhgënjyer, për ata që kanë humbur besimin në politikë, për ata që nuk votojnë më: unë ju them se angazhimi i secilit prej nesh është çelësi.

Unë, si nje ish kryetare e një grupseksioni të rëndësishëm dhe si Këshilltare Bashkiake e Shkodrës, kam marrë besimin e qytetarëve dhe gjithmonë kam punuar për të përmbushur nevojat e komunitetit. Që nga sot e tutje, çdo iniciativë do të jetë e përbashkët, duke filluar me Këshillin Bashkiak të Shkodrës dhe duke vazhduar në nivele të tjera. Kështu, do të formojmë një zë të fuqishëm për ju dhe për një Shqipëri që meriton shumë më tepër. Bashkimi ynë, përkushtimi ynë dhe forca jonë e përbashkët janë ato që do ta rikthejnë Partinë Demokratike si udhërrëfyesin e së ardhmes së ndritur për Shqipërinë. Së bashku, mund të arrijmë më shumë”, përfundon Shllaku analizën e saj.

Për momentin në këshillin bashkiak të Shkodrës Lulzim Basha ka mbetur me tre këshilltar të cilët ende nuk kanë deklaruar nëse do të presin vendimin e Gjykatës së Lartë në rekursin që ka bërë Basha për vulën apo edhe ata do të nxitohen për t’ju bashkuar formacionit të Berishës që vetëm për momentin është kryetar i PD sepse ende nuk ka përfunduar procesi gjyqësor.

Artikulli paraprakMAMOGRAFI PËR GRATË E FA-SË, KOÇIU: NJËSITË E LËVIZSHME KONTROLLE FALAS GJATË GJITHË VITIT
Artikulli tjetërLEKSIKOGRAFIA SHQIPE E VITEVE ’30-‘40