Sot në orën 11:00 Presidenti Ilir Meta do të presë në një takim aleatët e vegjël të Partisë Demokratike pas kërkesës së tyre në përpjekje për zgjidhjen e krizës politike. Në takim me kreun e shtetit pritet që të jenë; Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Nard Ndoka i PDK, Vangjel Dule i PBDNJ, Dashamir Shehi i LZHK dhe Agron Duka i PPA-së.

Pesë aleatët e qendrës së djathtë kërkuan ndërmjetësimin e Presidentit Ilir Meta, BE-së dhe OSBE-së, mes mazhorancës dhe opozitës për kapërcimin e krizës. Meta pranoi që të takonte aleatët e PD-së në kushtet kur opozita joparlamentare i humbi të gjitha mundësitë ligjore për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve më 30 qershorit 2019 për kryebashkiakët e rinj të vendit.

Në mesin e krizës partitë e vogla po përdorin të njëjtin skenar për të dalë ashtu si dy vite më parë. Edhe në 17 maj të vitit 2017 pas çadrës së opozitës përpara Kryeministrisë ishin partitë e vogla ato që inicuan një tryezë me kreun e qeverisë që më pas u zhvendos në një takim ‘kokë më kokë’ Rama-Basha për të arritur marrëveshjen që PD dhe aleatët e saj të futeshin në zgjedhje.

Por duket se edhe aktualisht ky skenar po rezulton i suksesshëm. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u tregua për herë të parë i hapur dje për t’u ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama, një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, lideri demokrat e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij. Ndërkohë që Taulant Balla nga Pogradeci u përgjigj duke thënë se shumica ka qenë gjithmonë e hapur për dialog, por jo shtyrje të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Artikulli paraprakGODITET TRAFIKU I DROGËS,ARRESTOHET 25-VJEÇARI SHQIPTAR
Artikulli tjetërTATIMET: SOT, DITA E FUNDIT PËR VETËDEKLARIMIN E TË ARDHURAVE