Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, u ka kërkuar drejtuesve të Demokratëve Euroatlantikë që të zbresin në terren me kandidatët për deputetë dhe të shpalosin programin e 1 qershorit. Këtë Basha ua ka kërkuar ditën e sotme teksa ka zhvilluar një mbledhje me strukturat drejtuese të kësaj force politike, ku theksoi se shqiptarët janë në kërkim të një alternative politike.

“Realiteti politik në të cilin ndodhemi, dikton kalimin në një fazë të avancuar dhe intensive të aksionit politik. Dhe aksioni politik, siç na e tregojnë shumë mirë ngjarjet e javës së kaluar, nuk mund të jetë për fatin e një individi apo qoftë edhe për çështje që i takojnë një grupi të ngusht. Shqiptarët dhe Shqipëria lëngojnë, hallet dhe problemet e tyre vetëm shtohen.

Shumica prej tyre qartësisht prej kohësh janë në kërkim të një alternative politike largë teatrit politik që i ofron Tirana e sotme politike, të qeverisë dhe të pseudoopozitës. Dhe në këtë kuadër, porosia ime kryesore është zbritja në terren me njerëzit për t’i dhënë kuptim ofertës tonë programore e shpalosur më 1 qershor, duke plotësuar me ofertën tonë ekipore, me kandidatët dhe kandidatet për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Basha.

Basha gjithashtu tha se një pjesë e opozitës shkon pas interesit personal të një njeriu të vetëm, duke iu referuar kreut të PD Sali Berisha.

“Nga njëra anë tërheq Edi Rama me manipulim për të mbajtur një pushtet i cili prej 4 vitesh nuk prodhon asgjë për shqiptarët, por prodhon vetëm negativitet, vret vebnde pune, largon njerëzit. Dhe akoma më shumë vritet shpresa kur shohin një pjesë të opozitës të mbërthyer në kalvarin e interesit personal të një njeriu të vetëm. Ky dëshpërim padiskutim mer formë edhe në sjelljen e përgjithshme të njerëzve. Jo vetëm emigracioni por edhe neveria ndaj kësaj loje me jetën dhe fatin e tyre. Padiskutim me qeverinë dhe me Edi Ramën si aktor kryesor, por dhe këta që i bëjnë freskë si bashkëautorë dhe bashkëpërgjegjës të kësaj situate”, tha Basha.

Basha më tej tha se demokratët euroatlantikë janë në terren me program dhe do të jenë aty për njerzitë.

“Demokratët Euroatlantikë janë në terren, me program, me kandidat për deputetë dhe nuk harxhojnë asnjë minutë në teatrin e shëmtuar të interesave personale të pseudoopozitës dhe as me përballjen me këtë qeveri që realisht ka tejkaluar çdo kufij të durimit dhe të reagimit popullor në raport me gjëmat me aferat dhe me gjendjen e përgjithshme që kanë diktuar vendin. Pra, jemi aty për njerëzit, me njerëzit, jo për veten tonë”, tha Basha.

Artikulli paraprakAKSIDENT I PESËFISHTË NË AKSIN RRUGOR FUSHË KRUJË-MILOT
Artikulli tjetërPLAGOSI PER VDEKJE 15 VJECARIN, IDENTIFIKOHET DHE KAPET AUTORI I DYSHUAR