Basha fushatë në Fier: Merrni vendin në dorë për Republikën e Re, ne jemi të bashkuar
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar fushatë elektorale mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit ku prezantoi kandidatët e këtij qarku, që kryesohen nga Enkelejd Alibeaj. Gjatë fjalës së tij përpara qytetarëve fierakë, Basha u bëri thirrje që më 25 qershor të marrin në dorë fatin e vendit përmes votës së tyre, për të votuar Republikën e Re. “Shqiptarë merrni vendin në dorë, merrni Fierin në dorë me votën tuaj më 25 qershor për Republikën e Re, Republikën tuaj. Republika e vjetër u zmbraps nga qëndresa e qytetarëve 90 ditë e netë. Të bashkuar fitojmë gjithmonë, fiton populli. Dhe sot vijmë këtu të bashkuar. Ne jemi të bashkuar. Ata janë të përçarë. Këtu ka me qindra fierakë që për herë të parë vijnë në një takim politik që nuk është i PS, sepse ky me të vërtetë është takimi politik i PD, por mbi të gjitha është bashkimi vendimtar i shqiptarëve për Republikën e Re. Mirësevini vëllezër dhe motra. Ne sot hedhim themelet e një politike për qytetarët, nga qyterarët”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.