Përmes një postimi me video në rrjetin social “Facebook”, Basha hedh serish akuza mbi kryeministrin Rama dhe qeverinë që ai drejton si mbrojtës të trafikut të drogës.
Duke iu referuar një raporti të CIA-s, Basha thekson se Shqipëria mbetet vendburimi kryesor për kanabisin. E sipas tij asnjë bos droge nuk është arrestuar sepse për ta ka dalë garant kryeministri Rama.
“Edi Rama mashtroi shqiptarët, BE dhe SHBA me shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. Nga Janari deri në Korrik 2018 në Itali, Greqi dhe Shqipëri janë sekuestruar 30 tonë kg kanabis shqiptar.
Deri tani nuk është arrestuar asnjë bos i drogës në Shqipëri, sepse garant për paprekshmërinë e tyre është qeveria e Edi Ramës”, thuhet në videon e postuar nga Basha.
Ndër të tjera në video thuhet se analizat italiane dhe greke të drogës së kapur nga Shqipëria provojnë se kanabisi është mbjellë gjatë muajve të fundit.
“30 ton drogë e sekuestruar në 7 muaj janë vetëm maja e ajsbergut të krimit të organizuar me mbrojtje politike, që ka marrë peng vendin.
Shqiptarët nuk meritojnë një kryeministër të korruptuar, që ka lidhur fatin e tij politik me krimin e organizuar!”, thuhet më tej në videon e postuar nga kreu i PD, Lulzim Basha.