Kryetari i PD, Lulzim Basha është duke marrë pjesë në asamblenë politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillohet në Kopenhagen me pjesëmarjen e drejtuesve të partive të djathta europiane.

Para Asamblesë, Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë europianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe opozitës. Në mënyrë të veçantë, ai e vuri theksin tek rëndësia që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë historisë së manipulimit të zgjedhjeve.

Ndërsa në bisedat me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi mbi përballjen me sfidat për integrimin europian të vendit dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces, thuhet në një njoftim për shtyp të PD. Zoti Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra për Partinë Demokratike, përfshirë këtu asistencën me këshillime në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare.

Artikulli paraprakRAMA MBLEDH KABINETIN NË VELIPOJË
Artikulli tjetërDURRËS, DY PERSONA KËRCËNOJNË SE DO TË HIDHEN NGA PALLATI