Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u zhvillua në Beograd.
Në fjalën e tij, Basha ndër të tjera foli për Kosovën.
“Kosova është e pavarur. Ky është një realitet i pakthyeshëm. Pse të mos e përfundojmë këtë dhe të përqendrojmë gjithë energjinë tonë në atë që ka rëndësi për qytetarët tanë? Dhe ky angazhim duhet të tregohet me vepra”, tha Basha.
Ai më tej u shpreh se anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare sjell siguri, jo vetëm për qytetarët Kosovës, por edhe për minoritetet që jetojnë aty.
Basha gjithashtu foli për sulmin terrorist të Banjskës, ku tha se përgjegjësit ende nuk janë vënë para drejtësisë. Kreu i demokratëve euroatlantikë më tej u shpreh se është përgjegjësi e Beogradit që të arrestojë fajtorët që janë ende të lirë në Beograd, dhe të ndëshkohen.
“Një vit më parë, një sulm ndodhi në territorin e Kosovës. Nga forca të mirë trajnuara dhe të pajisura mirë, që për fat të mirë dështoi. Por ata që janë përgjegjës ende nuk janë vënë para drejtësisë.
Është përgjegjësia e të gjithëve, përfshirë Beogradin, që ta bëjnë këtë. Fajtorët kryesorë janë ende të lirë këtu në Beograd.
Dhe mund të ndodhë që të ndeshemi me ta në korridoret e hoteleve këtu në Beograd. Nuk duhet dhe nuk mund të tolerohet mosndëshkimi për akte të tilla. Kështu merr formë angazhimi për paqen dhe stabilitetin”, theksoi më tej Basha.
“Mendoj se shumica e qytetarëve e shohin që retorika nacionaliste, minimi i sovranitetit të njëri-tjetrit, është thjesht një mashtrim për të fshehur dështimet, për të ofruar prosperitet ekonomik, mundësi, barazi përpara ligjit, zgjedhje demokratike, institucione të pavarura”, u shpreh më tej Basha.
“Sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shpejt do të kuptojmë se fshehja e problemeve tona reale dhe sfidave të vërteta të sigurisë sonë, që përfshin dështimin e sundimit të ligjit, dështimin për të krijuar dhe mbajtur institucione të pavarura, përfshirë gjyqësorin e pavarur, dhe dështimin për të organizuar zgjedhje demokratike të pakontestuara, do të na çojë në tryezë, jo duke u ankuar, por si anëtarë të Bashkimit Evropian, që besoj, është gjithashtu zgjidhja përfundimtare për të gjitha problemet tona, reale dhe artificiale”, theksoi ai.