Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar në KiE spastrimin e heshtur që Serbia, sipas tij, po u bën mbi 8 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, LULZIM BASHA, NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË KIE
Z. President,
Anëtarë të Asamblesë,
Shkelje masive dhe parregullësi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet nga raporti paraprak i OSBE-së, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtetit, krijoi kushte të pabarabarta. Konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë. Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumentave, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave. Këto parregullësi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.
Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE. Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Tani përballemi me pasojat e kësaj qasje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste. Sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë? Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës. Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullësitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative. Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor.