Kreu i opozitës Lulzim Basha ndodhet në Milot, aty ku si në 4 akse të tjera në vend, qytetarët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ky është aksioni i tretë i rëndësishëm i opozitës, ndërsa mosbindja civile pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Ndërkohë vetë kryedemokrati Lulzim Basha ka theksuar se opozita është e vendosur për të mos lejuar që në vend të zhvillohen zgjedhje farsë, ndërsa theksoi se me protestën sot nis edhe mosbindja civile.

“Protestues dinjitoz, gardanë të lirisë dhe demokracisë, misionarë të Shqipërisë Europiane. Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj monumentale këtë të enjte, këtu në Milot dhe të falenderoj në emrin tuaj të gjithë shqiptarët e ndershëm në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Fier që nisin sot aktin e mosbindjes civile. Për të çuar deri në fund betejën që kemi nisur e për ta konkretizuar me fitore”, është shprehur Basha.

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha nga kryqëzimi i Milotit u shpreh se me 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri.

“Nuk ka zgjedhje pa opozitën, opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket. Ka vetëm një opozitë ajo e bashkuar me popullin”, deklaroi Basha.

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu edhe një herë se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve dhe se nëse ato mbahen pa PD-në, LSI-në dhe aleatët, do të jenë farsë.

Nga Miloti ku qëndroi krah simpatizantëve dhe mbështetësve, Basha tha se opozita nuk mund të klonohet me përfaqësinë e re në Kuvend, dhe se zgjedhjet sipas tij duhet të bëhen patjetër me PD-në dhe aleatët që sipas tij janë opozita e vërtetë. Zgjedhjet pa Edi Ramën kryeministër, janë kush i panegociueshëm, theksoi lideri demokrat.

“Asnjë qendër të vetme votimi nuk do të lejojmë, do të luftojmë sy për sy e dhëmbë për dhëmbë për demokraci”, tha Basha. “Vetëm kështu mund të kthehet normaliteti”, tha ai, edhe pse në fakt skenari që opozita joparlamentare ofron është në fakt i bllokimit dhe i mohimit të së drejtës sëq qytetarëve për të votuar duke penguar zgjedhjet e duke vendosur bllokadë në kutitë e votimit.

Artikulli paraprakBASHA ME SIMPATIZANTËT E PD NË MILOT, BLLOKOHET RRUGA E KOMBIT
Artikulli tjetërMBYLLET PROTESTA E OPOZITËS, LIROHEN RRUGËT