Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas takimit me raportuesit e KiE-s duke nënvizuar sërish mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si rruga e vetme për ecjen përpara të vendit.

Basha tha se është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin duke vendosur interesat e vendit para atyre politike. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë.

“Të mbahen sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në Shqipëri janë përvijuar 2 qëndrime, qëndrimi i një shumice absolute, i opozitës që kështu nuk mund të vazhdohet dhe i një pakice absolute që nuk do ndryshim.

Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeveri i paguajnë shqiptarët. Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.

Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund.

Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara.

PS të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksioner”, deklaroi Basha.

Artikulli paraprakINFO PLUS – 30.10.2019
Artikulli tjetërRAMA NESËR NË ITALI