Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu pas vendimit të gjykatës së Elbasanit ndaj funksionarëve të PD-së paralajmëroi gjyqtarët dhe prokurorët e çështjes se do të mbajnë përgjegjësi ligjore para drejtësisë së vërtetë.
Basha tha se ata do ta shoqërojnë kryeministrin Rama para drejtësisë.
Lulzim Basha: Opozita nuk frikësohet, nuk trembet, nuk tërhiqet.
Unë, të gjithë demokratët në cdo cep të Shqipërisë dhe gjithë qytetarët e bashkuar do ta luftojë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe të gjithë kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë.
Dua tu drejtohem të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit, Taulant Ballës dhe bandave të Elbasanit. Ju e dini fare mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia.
E dini fare mirë se është kriminale që një prokuror dhe një gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për ti shërbyer politikës dhe krimit. Ju e dini dhe ne e dimë. Edi Rama mund tu ketë premtuar se do t’ua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore, se do të kaloni vettingun.
Unë ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën para drejtësisë.Prokurori dhe gjyqtari i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe as nuk do ta falin krimin dhe korrupsionin tuaj.
Basha tha se Rama po nxit vëllavrasjen.
Lulzim Basha: Ka disa muaj që ushtron dhunë sistematike kundër opozitës dhe qytetarëve.
Mbi 500 qytetarë janë ndaluar gjatë 5 muajve të fundit, mbi 50 qytetarë janë arrestuar. Dhuna e tij dështoi, njerëzit nuk u frikësuan, protestat u bënë më të mëdha.
Kjo e ka trembur dhe futur në panik Edi Ramën. Tani ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.
Edi Rama po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.
Për këtë qëllim ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media për të krijuar ngjarje që provojnë, nxisin revoltim dhe reagim publik.
Këtë qëllim kanë arrestimet e fundit të drejtuesve të PD-së, përplasjet e policisë me qytetarët protestues, këtë qëllim ka vazhdimi i një fushate të paligjshme, këtë qëllim ka retorika e djegies, përmbysjes dhe dhunës.
Motoja e Edi Ramës tani është: Çdo gjë të sakrifikohet, çdo gjë të shkretohet vetëm që ai të ruajë karrigen dhe milionat e tij. Është plan i dëshpëruar që do të sjellë fundin e tij. Ne nuk do të lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht në këtë aventurë kryeministrin që të mos bëhen kurban i Edi Ramës.
Lulzim Basha: U bëj thirrje veçanërisht institucioneve ligjzbatuese, refuzoni të bëheni vegla të verbra për të shkelur ligjin, dhunuar popullin dhe kryer krime në emër të Edi Ramës.
Nuk do të na thyeni dot. Ju jeni në anën e Edi Ramës, një hajduti të kriminalizuar që do ta ketë fundin e keq. Ju keni ende kohë të reflektoni.
Në fund Basha pati një apel edhe për mbështetësit e tij.
Lulzim Basha: U bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që të vazhdojmë të jemi kurajozë dhe të bashkuar si deri më sot. Jemi të fortë, të vendosur, kemi të drejtën me vete. Do të protestojmë dhe qëndrojmë deri në fitore.
Të bashkuar nuk nda ndal dot askush dhe asgjë dhe i fusim frikën në palcë Edi Ramës dhe mercenarëve të tij.
Ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen në protestën e të premtes së ardhshme. Asnjë hap pas deri në fitoren e betejës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa.