Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zbardhur një pjesë të bisedës me delegacionin nga Kongresi Amerikan, teksa theksoi se kanë shprehur interes për nismat e PD-së, konkretisht ajo për vettingun e politikanëve dhe kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në një prononcim për mediat pas takimit, kryedemokrati deklaroi se në prioritetin e parë për Shqipërinë ka renditur domosdoshmërinë e rikthimit të vendit në shinat demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rolin e veçantë që ka për këtë qëllim lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit midis politikës dhe krimit të organizuar.

“Përfaqësuesit e lartë të Kongresit amerikan, me një delegacion të kryesuar nga senatorja republikane Ernst dhe me praninë e dy anëtarëve të kongresit amerikan po kështu të PR dhe një zonjë të kongresit amerikan, të PD-së amerikane, së bashku me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare vizituan PD-në dhe na dhanë mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen politike në Shqipëri, në rajon dhe mbi perspektivën e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Në prioritetin e parë për Shqipërinë natyrisht rendita domosdoshmërinë e rikthimit të vendit në shinat demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rolin e veçantë që ka për këtë qëllim lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit midis politikës dhe krimit të organizuar, ku shfaqën një interes të veçantë për iniciativat tona politike, siç është ai i vettingut të politikanëve dhe natyrisht siç është interesi më madhor i PD-së dhe i shqiptarëve, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Folëm po kështu për rëndësinë që ka jo vetëm për sigurinë për paqen e stabilitetin, po kështu dhe për demokracinë lufta kundër korrupsionit, por edhe për faktin që i gjithë rajoni sot po përjeton një nevojë të ngutshme për të rikthyer shoqëritë e Ballkanit Perëndimor në shinat e legjitimitetit demokratik sepse kjo situatë që po kërcënon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është produkt i drejtpërdrejtë i autokratëve të Ballkanit të cilët për hir të pushtetit të tyre kanë shkatërruar bazat e bashkëjetesës demokratike siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke cituar në veçanti shkatërrimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe raportin e ODIHR dhe duke treguar vendosmërinë tonë për të mos iu ndarë asnjë çast kauzës së shqiptarëve për të pasur politikanë të pastër”, deklaroi kreu i PD.

Artikulli paraprakTRONDITËSE/ QINDRA EMIGRANTË MBËRRIJNË NË KUFI TË POLONISË NGA BJELLORUSIA, KTHEHEN MBRAPSHT
Artikulli tjetërA I DHANË KONGRESMENËT SHPJEGIME PËR SHPALLJEN ‘NON GRATA’ TË BERISHËS? JA ÇFARË THOTË BASHA