Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jep një mesazh solidarizimi në 107-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, një përvjetor i tmerrshëm për të gjithë shqiptarët.

Në një video-mesazh në “Facebook”, Basha shkruan se “megjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri”.

Mesazhi i Bashës:
Të dashur bashkëqytetarë, Mëngjesin e të martës, ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për të përkujtuar 107 vjetorin e Pavarësisë, një tërmet i tmerrshëm goditi vendin tonë. Ende nuk e dimë përmasën e plotë të dëmeve.

Ajo që dimë deri tani është se me dhjetëra shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, me ata që vuajnë dhe me familjet që përjetuan dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë.

Megjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri.

Kjo është Shqipëria e vërtetë! Shqipëria e njerëzve me zemër të madhe dhe me forcë të pashtershme. Le ta nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi duke qëndruar të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë! 🇦🇱

 

Artikulli paraprak107-VJETORI I PAVARËSISË/ SHQIPËRIA FESTON DITËN E FLAMURIT NË DHIMBJE DHE LOT PAS TËRMETIT ME VIKTIMA
Artikulli tjetërDITA E PAVARËSISË/ RAMA: KËTO DITË FESTASH TRADICIONALE KOMBËTARE, TË KTHEHEN NË DITË SOLIDARITETI