Pjesëmarrjen qytetare në protestën e djeshme para kryeministrisë, lideri demokrat Lulzim Basha e ka vlerësuar në përmasat e një referendumi për zgjidhjen që opozita e bashkuar ofron: Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Heshtjen që kaploi tubimin ndryshe të opozitës, pa asnjë fjalim politik, kryedemokrati Basha e theu këtë të dielë duke bërë publik vendimin e tij.

Tha se do t’i propozojë grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta politike, djegien e mandatave të deputetëve të djathtë.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha doli për të thënë mesazhet që kishte marrë nga protesta, të cilën e quajti më të madhen të dëshmuar në historinë e Shqipërisë, për nga pjesëmarrja.

“Pjesëmarrja më e madhe që ka parë ndonjëherë vendi. Protesta mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen e ofruar nga opozita. E kam lexuar vullnetin tuaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve me te larta politike djegien e mandateve te deputeteve tanë!”, tha Basha.

“Dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shteti të kalbur, inkriminimin e policisë. Ju kërkoni një qeveri legjitime. Mesazhi juaj është i qartë, kështu nuk vazhdohet më, thika ka shkuar në palcë”, theksoi Basha.

Sipas liderit demokrat, zgjidhja është një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme për një parlament dhe qeveri që del nga vota qytetare, siç theksoi Basha.

Dhunën në protestën e opozitës e quajti sërish një skenar të qeverisë. Ky ishte një skenar i dhunshëm – tha Basha, – ndërkohë që opzoita sipas tij – shfaqi civilizim evropian duke shkuar me lule në protestë.

Këtu Basha i referohet vajzave të reja të FRPD-së që marshuan me lule drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e madje i ofruan lule edhe efektivëve të policisë.

Por, lideri demorkat nuk mban asnjë qëndrim të tij, të shprehur hapur, për personat protestues që disa herë me radhë gjatë 5 orëve të protestës, thyen kordonin e policisë para kryeministrisë dhe shkatërruan çka gjetën para.

Skela mbrojtëse para derës së godinës u shkatërrua dhe me hekura e dërrasa u thyen xhamat e derës kryesore duke arritur deri te dritaret e katit të dytë. Po ashtu instalacioni i kërpudhës në lulishten e kryeministrisë u shkatërrua po nga protestuesit.

Policia ka arrestuar 15 veta për dhunën, 7 janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Liderët e opozitës dje, Monika Kryemadhi e LSI-së, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e opozitës, u bënë spektatorë të dhunës që shpërtheu gjatë tubimit, duke zgjedhur të mos bëjnë fjalime.

Në përgjigje të shkurtra për mediat, nuk u distancuan nga dhuna, por thanë se gjithçka u provokua nga qeveria pas heqjes së kordonit me policë para kryeministrisë.

Të vetmet momente kur efektivët lanë hyrjen e kryeministrisë, ishin kur protestuesit e dhunshëm hodhën bomba molotov, kapsollë, tymues si dhe shkulën gurët nga bulevardi duke qëlluar ndaj policisë dhe kryeministrisë.

U shpërndanë vetëm pasi Garda e Republikës e vendosur në tarracën e kryeministrisë hodhi gaz lotsjellës.

Artikulli paraprakBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA NË ‘FIJE TË PERIT”
Artikulli tjetërATENTAT ME ARMË ZJARRI, 2 TË VRARË DHE 1 I PLAGOSUR