Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur mbrëmjen e kaluar për emisionin historik te Rai Uno “Porta a porta” të gazetarit Bruno Vespa. Në përgjigjet e dy pyetjeve të bëra nga gazetari, Basha ka deklaruar se Shqipëria ka dy probleme të mëdha, një me demokracinë dhe një me kriminalitetin.
Ai theksoi se zgjedhjet e 2017 u blenë me paratë e drogës duke risjellë në vëmendje përgjimet për zyrtarë të lartë të PS-së si dhe akuzat për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Intervista e Bashës u transmetua gjatë kohë që kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në studio për të folur për situatën politike në vend.
Çfarë po ndodh në Shqipëri?
Shqipëria ka dy probleme të rënda, një problem me demokracinë dhe një problem me kriminalitetin. Pesë vite më parë, Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër një i kanabisit.
Me paratë e kanabisit, u kalua në trafikun e heroinës dhe kokainës. Dhe me milionat e fituara nga trafiqet e drogave të forta u blenë zgjedhjet, u blenë policët, drejtësia, media, pjesë të mëdha të ekonomisë private dhe të aktivitetit ekonomik publik.
Ju keni akuzuar qeverinë për bashkëpunim dhe marrëveshje me krimin e organizuar…
Dy muaj më parë, media ndërkombëtare publikoi përgjimet zyrtare të drejtësisë shqiptare, ku funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, janë përgjuar në bashkëpunim me krerë mafiozë për të blerë vota dhe për të frikësuar opozitën në zgjedhjet e kaluara.
Për katër vite, Shqipëria ka pasur ministër të Brendshëm, Saimir Tahirin, që tani ndodhet nën akuzë zyrtare për trafikim ndërkombëtar të drogës shkaktuar nga një hetim i Prokurorisë së antimafias së Katanias.
Ndërsa për sa i përket pasuesit të tij, Fatmir Xhafa, drejtësia italiane ka dënuar vëllain e tij me shtatë vite burg si anëtar të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës.