Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, masën arrest me burg për kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Prrenjasit Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë Dashamir Boja dhe Bujar Kllojku.
“Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës”, kështu u shpreh Lulzim Basha.
Ata u arrestuan të enjten me akuzat pjesëmarrje dhe organizim tubimesh të paligjshme, pengim i qarkullimit, pengim i subjekteve zgjedhore.
nNdërkohë që sipas Bashës: “Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës”.
Deklarata e plotë
Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama.
Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama.
Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës.
Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua ti drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij kriminal në qeveri:
Opozita nuk frikësohet.
Opozita nuk trembet.
Opozita nuk tërhiqet.
Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuar.
do ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë.
Dua t’u drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit:
Ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia!
Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit.
Ju e dini, edhe ne e dimë. Të gjithë njerëzit e dinë.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë.
Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj.