Kryedemokrati Lulzim Basha ka prezantuar mëngjesin e kësaj të hëne programin politik të PD-së për biznesin dhe luftën kundër korrupsionit. Fillimisht, përmes këtij programi, synohet përfshirja e Shqipërisë mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.
“Siç u tha dhe pak më parë, Shqipëria renditet e 82-ta në botë mes 190 vendesh, sipas raportit Doing Business 2020. Një vend ky mjaft i ulët krahasuar me 4 vende të rajonit. Objektivi ynë është ta fusim Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për raportin “Doing Business” – tha Basha.
Basha thotë se përmes këtij programi do të nxitet klima e të bërit biznes dhe lufta kundër korrupsionit ku më pas është adresuar nga kryeministri Rama duke u shprehur se qeveria e tij ka dështuar në këto dy drejtime gjatë 8 viteve.
Një nga pikat kryesore të programit për biznesin është vendosja e një moratoriumi 1-vjeçar gjatë së cilës do ndalohen gjobat nga organet lokale e qendrore ndaj bizneseve. Ai thotë se do kufizojë me ligj numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj biznesit ku gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve.
Basha thotë se PD do ulë numrin aktual të licencave dhe lejeve të biznesit që jepen sot nga shteti si dhe do përgjysmojë afatet ligjore çdo leje nga 60 ditë në 30 ditë. Disa pika të tjera të programit të biznesit nga PD është dhe ngritja e një Bordi të Transparencës Fiskale që do monitorojë zbatimin e politikave fiskale nga bizneset.
Ai thotë se nuk do lejojë asnjë operator off-shore në tendera, gara apo koncesione si dhe do ketë një institucion ndërkombëtar që ku do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP. Gjithashtu Basha shprehet se nuk do ketë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të kontratës ekzistuese publike.
Së fundmi, Lulzim Basha deklaroi se do të ngrejë Agjencinë Kundër Korrupsionit e cila do koordinojë përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe duke përgatitur dosjet korruptive.