Shtyrjen edhe me dy vite të tjera të hyrjes në fuqi të ligjit për lojërat e fatit që praktikisht i largon ato nga qytetet, për kreun e opozitës, Lulzim Basha është një skemë për të përfituar më shumë para nga klientët e kryeministrit Rama.
Basha thotë se bixhozi në vend është nën kontrollin e plotë të kryeministrit dhe pavarësisht se xhiron rreth 600 mln dollarë në vit, taksa paguhen vetëm për 150 mln dollarë.
Basha: E mbani mend operacionin kundër bixhozit dhe që shpalli me bujë fitoren. Ligji ka tre vjet që nuk zbatohet dhe tani u shty edhe për 2 vjet të tjera. Operacioni kundër lojërave të fatit pati një qëllim; futjen në dorë të lojërave të fatit dhe bixhozit nga familjarët dhe klientët e tij. Tani që ka shti në dorë gjithë bixhozin e Shqipërisë, Edi Rama nuk ka më interes t’i largojë.
Bixhozi shqiptar xhiron 600 mln dollarë në vit. Nga këto 150 milionë dollarë paguajnë taksa, ndërsa pjesa tjetër shkon në xhepat e Edi Ramës. Këto janë skemat e Edi Ramës për të marrë paratë nga njerëzit e thjeshtë dhe për t’ua çuar klientëve të tij. E njëjta skenë po luhet me koncesionin e laboratorëve. Mbi 10 mln dollarë do të shkojnë në xhepin e klientit të Ramës. Shqiptarët paguajnë 1 mln dollarë në vit, ndërsa Edi Rama ia dhjetëfishon klientit të tij.