Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar në një reagim të tij Edi Ramën si një rrezik për sigurinë e çdo familjeje shqiptare. Kryeopozitari Basha ka vijuar sulmin edhe ndaj kryetarit të ardhshëm të bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri i cili sipas Bashës ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Sipas kreut të PD Edi Rama ka zaptuar çdo pushtet në Shqipëri përmes bandave të tij të krimit.

“Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur, sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.

Sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare! #HajdutiPsiqik #RamaIk”.

Edhe në videon e shpërndarë nga kreu i opozitës theksohet mesazhi kryesor i PD se Edi Rama e mban pushtetin me kriminelët dhe trafikantët e drogës, ndërsa Valdrin Pjetri i Bashkisë së Shkodrës cilësohet si “Elvis Roshi” i ri, pasi, njësoj si ish kryebashkiaku i Kavajës, edhe për Pjetrin, PD ka të dhëna se ai është dëbuar nga Italia për trafik droge në vitin 2003.

“Pasuria e tij është kriminale dhe duhet t’i nënshtrohet ligjit Antimafia. Edi Rama e emëroi Drejtor të Hipotekës, Prefekt të Shkodrës, Kandidat për Bashkinë e Shkodrës. Që të largojmë këtë bandë dhe të sigurojmë të ardhmen e familjeve shqiptare, duhet të largojmë Edi Ramën. #RamaIk”.

Pavarësisht këtyre sulmeve të opozitës që vazhdojnë në drejtim të kryebashkiakut të ardhshëm të Shkodrës Valdrin Pjetri, ky i fundit ka publikuar çertefikatën e pastërtisë së figurës nga Italia ku sipas tij vërtetohet se nuk ka patur asnjë dënim apo se nuk ka asnjë problem me drejtësinë italiane.

Artikulli paraprakSHKENCËTARI BËN BUKË ME MAJA 4.500 VJEÇARE
Artikulli tjetërMETA: FTOJ PALËT POLITIKE TË JENË TË PËRGJEGJSHËM