Kreu i Partisë Demokratike iu kundërpërgjigj kryeministrit Edi Rama duke theksuar se mandati i tij përpara se të jetë afat, është kontratë. Sipas kreut demokrat, mandati i qeverisë ka mbaruar me kohë që në “momentin kur kalove lumin me votat e atyre që të besuar dhe që u ktheve bërrylin”.
Reagimi i Bashës: Nuk i del që nuk i del zija e konsensusit. Nuk dëgjon, nuk sheh, nuk lexon, e ka humbur fare. I kujtoj se mandati është kontratë para se të jetë afat. Mandati i tij ka mbaruar me kohë në malet dhe fushat e mbushura me drogë si kurrë ndonjëherë, me vjedhjet kriminale dhe çnjerëzore, me koncesionet dhe tenderat korruptivë, me varfërinë dhe papunësinë masive kur kishte premtuar 300 mijë vende pune, me investime zero, me rritje rrogash e pensionesh zero, me taksat e larta, me krimin në pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin, me pasigurinë e frikshme e të tjera rekorde të zeza që shqiptarët i vuajnë në kurriz. Mandati të ka sosur që ditën kur kalove lumin me votën e atyre që të besuan dhe u ktheve bërrylin. Me ndeshje të trukuara nuk ecet dot gjatë. Njerëzit e kanë marrë vendimin, mezi presin ta shpallin. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.