Kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha doli në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ku foli për dorëheqjen e Saimir Tahirit.
Basha u shpreh se lajmi i mirë do të ishte vetëm nëse Tahiri do të ishte dorëhequr 6 muaj më parë. Tashmë sipas Bashës, ai i prishi provat.
Ndërkohë më tej, kreu i PD thotë se vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës i hapin rrugë drejtësisë.
“Do të ishte një lajm i mirë nëse Saimir Tahiri 6 muaj më parë do të pranonte të dorëzonte mandatin, por në fakt ndodhi e kundërta. Ai rezistoi dhe Rama i ktheu deputetët socialist në gjyqtarë.
Saimir Tahiri e shfrytëzoi imunitetin për të shkatërruar provat. Ai e pastroi banesën e tij nga gjurmët e drogës.
Kjo dorëheqje pas Edi Rama emëroi Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Atij i duhej një prokuror pa vetting. Kështu mund të ishte i sigurt se Saimir Tahiri nuk mund të hetohej dhe Rama do të shpëtonte.
Vetëm pas këtyre akteve dhe presionit të drejtpërdrejtë nga Gjermania ndaj Edi Ramës, erdhi dorëheqja e Tahirit, si mashtrim për Gjermaninë si mashtrim për Europën.
Saimir Tahiri Mbetet në dorë të Ramës, sikundër Rama mbetet në dorë të Tahirit, ky është kodi i mafies.
Ramës i duheshin milionat e drogës për të blerë zgjedhjet. Kjo është arsyeja që Edi Rama vazhdon të bllokojë zbardhjen e të vërtetës nga komisioni hetimor “Tahiri”. Dokumentet në këtë skemë do të tregojnë se Tahiri është një levë, që Rama e përdori për të kanalizuar vendin.
Vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës i hapin rrugë drejtësisë. Prokuroria e Kapur nuk vepron dot. Edi Rama është provuar si pengesa e vetme për integrimin e Shqipërisë”, tha Basha.