Basha takim 120 minutësh me 18 ambasadorët e vendeve të BE.
Ka përfunduar takimi mes kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, me 18 ambasadorët e vendeve të BE-së në vendin tonë. Takimi, i kërkuar nga Basha, u zhvillua në selinë e Partisë Demokratike. Burimet thanë se në këtë takim që ka zgjatur më shumë se 120 minuta nuk kanë qenë të pranishëm, ai i SHBA-së Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. Arsyeja e mungesës së tyre ka qenë sepse ishin vetëm ambasadorët e vendeve të BE. Gjatë takimit kreu i PD-së, Lulzim Basha ka informuar ambasadorët në lidhje me krizën politike në vend dhe pse ai kërkon qeveri teknike e pse zgjedhjet janë të rrezikuara me Edi Ramën kryeministër. Mësohet se takimi ka qenë shumë pozitiv. Dje kreu i opozitës u takua me kryeministrin Edi Rama në Presidencë, për zgjidhjen e krizës politike. Edhe kryeministri Rama, pas takimit të djeshëm me Bashën, zhvilloi një takim me ambasadorët në Tiranë. Pas kësaj, kreu i qeverisë, në një prononcim për gazetarët, nuk preferoi të bënte komente të shumta lidhur me takimin me Bashën, duke sqaruar se kanë rënë dakord që të mos flasin pasi bisedimet janë në proces. Megjithatë, ai i qëndroi variantit të tij se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve. Ndërkohë, paraditen e sotme, Rama u takua edhe me ambasadorin amerikan Donald Lu. Ndërsa gjatë pasdites, kreu i qeverisë zhvilloi një tjetër takim me Lu.