Me ftesë të Partisë Demokratike amerikane, dhe Institutit Kombëtar Demokratik kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konventës së Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton pritet të marrë emërimin si kandidatja demokrate për Presidente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lideri i opozitës Basha është takuar me drejtues të lartë të Partisë Demokratike amerikane, senatorë dhe kongresmenë të pranishëm në Konventë dhe ne forumet e shumta ku ai është ftuar. Kreu i opozitës ishte i pranishëm në Forumin e Liderëve Botërorë ku ka takar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane, Antonio López-Istúriz. Në njoftimin për media thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i PPE-së vlerësoi rolin e Partisë Demokratike në realizimin e amendamenteve kushtetuese bazuar në standardet më të mira europiane. Duke vlerësuar lidershipin e zotit Basha në procesin e hartimit dhe miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi si dhe ligjin e dekriminalizimit, López rikonfirmoi gjithë mbështetjen e PPE-së për Partinë Demokratike në rrugën e saj të rikthimit në pushtet dhe krijimit të alternativës që do tu japë shpresë dhe zhvillim shqiptarëve dhe garantojë ecjen e sigurt drejt integrimit europian. Basha është takuar edhe me eurodeputetin Knut Fleckenstein, zoti Basha ku ka vlerësuar rolin e tij dhe të Eurodeputetit Eduard Kukan në mbështetje të konsensusit. Basha ka takuar edhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Madeleine Albright.