Duke folur për tërheqjen e tij nga politika aktive e vendit apo nga debatet për drejtimin e PD-së, Lulzim Basha u shpreh se vendimi i tij para një viti u mor për të mos përçarë demokratët dhe për t’i dhënë një mundësi bashkimit të tyre.
Ai tha se gjatë kohës që kishte analizuar debatet politike në vend kishte vënë re se kishte pasur një rënie të nivelit dhe se nuk kishte përplasje idesh apo alternativash por vetëm ‘tallava’.
“Mund t’iu kujtohet që tërheqja para një viti u bë për një interes të madh. Për të mos përçarë demokratët dhe për t’i dhënë një mundësi bashkimit të tyre. Nuk kam hequr dorë kurrë nga përgjegjësia për të mos lënë njerëzit në mes të rrugës dhe atyre që më kanë qëndruar në krah. Vendimi që kam marrë për të mos influencuar rrjedhën e ngjarjeve nuk do të thotë se jam stakuar nga interesi për këtë vend dhe PD-në. Kjo tërheqje më shërbeu për të parë te vetja ime dhe sa kohë e energji i kam dedikuar luftës që bëjmë me njëri-tjetrin dhe halleve të njerëzve. Kam dalë me një konkluzion se raporti duhet përmbysur. Politika nuk mund të jetë Big Brother. Niveli i debatit politik ka rënë masivisht, e kanë ulur me qëllim. Çfarë mund të debatosh me dikë që vendos tallava, apo me dikë që vetëm shpif shan e sulmon. Ftesa ime e parë është të ndryshojmë kulturën tonë politike. Mos të besojmë fjalët por veprat. Dua të më besoni se jam serioz për këtë platformë”, u shpreh ai.