Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje biznesit të vogël që të refuzojnë vendosjen e skemës së TVSH-së që hyri në fuqi prej datës 1 Prill.

Gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësues të biznesit të vogël paraditen e sotme, Basha bëri me dije se ditën e nesërme nga ora 11:00-12:00 do të ulen qepenat e dyqanëve.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve i premtoi kësaj kategorie biznesi që opozita do të jetë gjithmonë në krah të tyre dhe deklaroi se arrestimet nuk i trembin.

” Nga ora 11:00 deri në orën 12:00 biznesi i vogël do mbyllë qepenat. Janë një grusht njerëzish që po grabit vendin dhe po mban peng 3 milionë shqiptarë. Nuk janë të pathyeshëm.

Mos lejojmë këta 10 apo 15 pushtetarë kriminelë dhe oligarkë të marrin peng të ardhmen e një populli të tërë. Të ngrihemi të tërë dhe t’i refuzojmë. Bashkimi në protestë për të drejtat e nëpërkëmbura.

Dhe ne do të jemi në krahun tuaj. Nuk ka frikëson dot Edi Rama. Le të më arrestojnë mua të parin, nuk na arrestojnë dot të gjithëve.

Ngrihuni, nuk ka rrugë tjetër. Nuk jemi në humbëtirë, jemi në zemër të Europës. Por kemi një grusht njerëzish që punon kundër vendit. Ne nuk bëjmë premtime, ne kemi një plan konkret.

Ngrihuni, refuzojeni, ulni qepenat, bojkotojeni tvsh-në, ju do ta detyroni sprapsjen e kësaj mase kriminale dhe ne do të na keni në krah”, theksoi Lulzim Basha.

Artikulli paraprakDUKAGJIN, NUK LEJOHEN TË SHKOJNË NË SHTËPITË E TYRE, BANORËT: PO NA TRAJTOJNË SI SERB
Artikulli tjetërMALI I ZI DREJT ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE, SONDAZHET NXJERRIN FITUES GJUKANOVIÇ