Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi të shtunën se Shqipëria po sakrifikohet për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës, porse paralajmëroi se megjithëse ai do t’i sjellë kosto të larta vendit, fundi i tij është i vulosur.

“Kapja e kryeprokurorit është një akt që do të shkatërrojë drejtësinë në vend, është një akt që do të shkatërrojë procesin politik demokratik dhe do të destabilizojë vendin. Shqipëria po sakrifikohet për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij dhe për të kënaqur etjen për para dhe pushtet të patericave që e mbajnë Edi Ramën akoma në këmbë. Dy muaj më parë kam paralajmëruar se Edi Rama do të zhytet gjithnjë e më shumë në krim për të mbrojtur veten dhe kjo po vërtetohet çdo ditë, tani Edi Rama ka humbur çdo kontroll dhe nuk do të ndalet më në koston shkatërrimtare. Ai do t’i sjellë kosto të larta vendit, por fundi i tij është i vulosur. Autokratët e inkriminuar i pret gjithmonë i njëjti fund.

” Basha akuzoi të shtunën qeverinë Rama se po zgjedh një prokuror politik në mënyrë të paligjshme me vetëm një mision, “të zhdukë të gjitha faktet që e lidhin me drogën dhe krimin e të shpëtojë të gjithë kriminelët dhe qeveritarët e korruptuar që ekspozojnë Edi Ramën.” Nga foltorja e selisë Blu ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës ditën e hënë për të ndaluar zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm.

“Të hënën është detyrë e çdo qytetari që beson tek demokracia, që do të ndërtojë jetën në këtë vend dhe të mos shkojë refugjat, që do të jetojë me dinjitet dhe jo me lëmoshën e narkoqeverisë, të bashkohet me protestën tonë para parlamentit. Të hënën opozita parlamentare nuk do të lejojë të kthehet në fasadën e pushtetit të krimit, ndaj ftoj çdo qytetar që të mos qëndrojë spektator por t’i bashkohet protestës tonë.

Deklaratat e Bashës vijnë pas takimeve të së shtunës me krerët e PD-së në rrethe dhe me grupin parlamentar të partisë para protestës së paralajmëruar të ditës së hënë.

“Shpresoj se edhe partnerët tanë të kuptojnë shpejt një të vërtetë të madhe. Arsyeja e rritjes së emigracionit të paligjshëm shqiptar dhe e krimit shqiptar në vendet e BE është politike: tolerimi dhe mbështetja që Edi Rama i ka bërë drogës dhe krimit, e cila ka forcuar krimin dhe i ka çuar shqiptarët në dëshpërimin për ta kërkuar të ardhmen diku tjetër. Emigracioni i paligjshëm dhe krimi nuk ndalen me masa teknike, por me zgjidhje politike: pastrimi i politikës nga krimi, që shqiptarëve t’u kthehet besimi tek vendi i tyre.

Artikulli paraprakBASHA MOBILIZON PD PËR PROTESTËN: TË HËNËN I TREGOJMË RAMËS OPOZITËN
Artikulli tjetërLARGIMI I TË RINJVE, META: E KAM VËSHTIRË TË PRANOJ SE KLASA POLITIKE KA DËSHTUAR