Partia Demokratike dhe kreu i opozitës Lulzim Basha ka vijuar me akuzat ndaj kryetari të ri të bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri. Me anë të një reagimi të bërë publik në rrjetet sociale, Basha hedh akuza edhe ndaj kryemistrit Rama duke thënë se ai është një ‘kërcënim’.
Kreu i opozitës akuzat për Pjetrin i bën fakt të kryer, sipas tij ai është i dënuar për trafik droge në Itali ndërsa tashmë sipas Bashës , Valdrin Pjetri ka uzurpuar bashkinë e Shkodrës. Nga ana tjetër vetë Pjetri i ka hedhur poshtë në disa reagime akuzat e PD. Së fundmi ai ka publikuar edhe dy certifikata nga Shteti Italian ku theksohet se ai nuk është dënuar në Itali.
“Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur, sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit. Sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë. “- thotë në mesazhin e tij kreu i opozitës.
Në fund Basha vijon të theksojë se zgjidhje për këtë krizë është largimi i Ramës si kryeministër. Por nga ana tjetër Basha dhe PD duket se janë të vetëm në këtë rrugë, pasi LSI, partitë aleate si dhe ish-kryebashkiakët e djathtë janë shprehur se do të hyjnë në zgjedhje në datën që ka dekretuar Meta për zgjedhjet lokale, pra 13 tetor.
Nga ana tjetër edhe Presidenca vijon t’i bëjë thirrje Bashës që të heqë dorë nga kushtet për të larguar Ramën në mënyrë që të hyjë në zgjedhje. Ndërsa vetë qeveria vijon me kryebashkiakët e rinj duke iu referuar plotësisht zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Mesazhi i plotë i Bashës:
Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë.
Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.
Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë.
Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare!