Veshjen e xhamave të përparmë të derës kryesore të selisë së PD me letër ngjitëse me logon dhe simbolet e partisë duket se ka alarmuar Sali Berishën i cili e ka interpretuar si blindim dyersh.

I ashtuquajturi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD ka reaguar nëpërmjet një deklarate, ku shkruhet se Basha po tenton të shndërrojë selinë e PD në ‘bunkerin e tij privat’.

Megjithatë ata shprehen të vendosur se ‘asnjë derë apo bravë nuk do të mbajë peng vullnetin e shprehur me votë të demokratëve’.

“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër t ë izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43 385 anëtarë qe firmosen shkarkimin e tij ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre ne bunkerin e vetmisë dhe pazareve te tij. Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marre peng ai ndërron brava dhe po vendos dyer te blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat.

Me ketë rast i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri se ata që shembën regjimin më gjakatar ne ‘90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë bravë, hekur apo shul të mbaje peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lire.

Partia Demokratike ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tille do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu se bashku me pengmarrësin e tij do kenë fatin e atyre qe bunkerizuan Shqipërinë”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se 5 janari është dita deri kur Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës që t’i lirojë zyrën me argumentin se Kuvendi i 11 dhjetorit e ka shkarkuar me firmën e 4446 delegatëve. Ndërkohë në 8 janar është protesta e thirrur për forcimin e PD-së.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha në konferencën e fundvitit ka qetësuar demokratët se në 5 janar nuk do të ndodhë asgjë, e ndërsa theksoi se PD-ja është e përgatitur për të gjitha skenarët.

Artikulli paraprakNGA SOT, ME “GREEN PASS” NË PUNË
Artikulli tjetërCOVID NË SHQIPËRI, VOA: GJATË DHJETORIT MË PAK RASTE DHE VIKTIMA, SI NDRYSHUAN SHIFRAT NË FUNDVIT