Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim në Berlin me deputetin e CDU-së, Knut Abraham, ku u diskutuan çështje të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin. Gjatë takimit, Basha theksoi sfidat e vendit, si lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe përpjekjet për respektimin e shtetit ligjor. Basha shprehet se pjesë e bisedës ishte edhe bashkimi i votave mes qeverisë dhe një pjesë të opozitës për lirimin e zyrtarëve të korruptuar, duke e cilësuar si një mesazh negativ për drejtësinë, si dhe mbylljen e listave.
“Sot pata kënaqësinë të takoj në Berlin mikun tim, deputetin e CDU-së, Knut Abraham, i cili është një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Diskutuam mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot, duke filluar nga lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, respektimi i shtetit ligjor, etj. Qeveria dhe një pjesë e opozitës, duke bashkuar votat për të liruar zyrtarët e korruptuar, i dhanë një mesazh tejet negativ organeve të drejtësisë, duke thënë se ju i dënoni të korruptuarit, por ne i lirojmë. Bashkimi i votave të Edi Ramës dhe një pjese të opozitës që drejtohet nga Sali Berisha për mbylljen e listave u hoqi mundësinë shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre deputetët në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Basha.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte largimi masiv i shqiptarëve për shkak të keqqeverisjes, që sipas Bashës ka sjellë humbje ekonomike prej mbi 800 milionë euro në vit.
“Gjithashtu diskutuam për plagën e madhe të Shqipërisë sot, që është largimi masiv i shqiptarëve, pasi keqqeverisja e ka pamundësuar ndërtimin e një jete dinjitoze në vendin e tyre. Si pasojë e emigracionit, Shqipëria ka sot më shumë se 800 milionë euro humbje në vit, ndërsa sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, gjysma e popullsisë jeton në varfëri. Knut Abraham, deputet i Bundestagut, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, është një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës dhe në NATO, si dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE, është në interes të BE-së, paqes dhe sigurisë në rajon. Europa duhet të mësojë nga lufta në Ukrainë për të zgjidhur konfliktet e ngrira, të cilat, siç dëshmoi ngjarja e Bajnskës një vit më parë, mund të kthehen në kërcënim për sigurinë”, shkruan Basha.
Nga ana tjetër, deputeti gjerman Knut Abraham, mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe NATO, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për sigurinë në rajon dhe paqen në Evropë.