Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, duke i uruar fitoren presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se këto zgjedhje përçuan një mesazh të çmuar demokracie.
Në fjalën e tij Basha shprehu bindjen se në në këto ditë të errëta për demokracinë shqiptare ky është një mesazh kuptimplotë që do të frymëzojë edhe në Shqipëri një bashkim të qytetarëve me besim te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund dhe nuk do të mposhtet nga asnjë makinacion dhe nga asnjë aleancë kundër interesit qytetar.
“Në emrin tim, si dhe në emër të demokratëve shqiptarë, të së djathtës shqiptare, të opozitës shqiptare, dhe të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, i përcjell Presidentit të zgjedhur Donald Trump urimet më të përzemërta për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Jam i lumtur për këtë mesazh të çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i dhanë sot mbarë botës dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët. Në këto ditë të errëta për demokracinë shqiptare ky është një mesazh kuptimplotë që jam i bindur se do të frymëzojë edhe këtu në Shqipëri një bashkim të qytetarëve me besim te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund dhe nuk do të mposhtet nga asnjë makinacion dhe nga asnjë aleancë kundër interesit qytetar. Urimet më të përzemërta Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Zgjedhja e tij do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të aleancës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe do të shërbejë patjetër për rimëkëmbjen dhe forcimin e demokracisë shqiptare.”