Grupi parlamentar demokrat ka votuar unanimisht në favor të propozimit të kreut të PD-së Lulzim Basha për dorëzimin e mandateve të deputetëve.
Në mbledhjen e sotme është vendosur të mandatohet kryetari Basha për mbledhjen e Këshillit Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar.
Po kështu është vendosur ngritja e një grupi pune për teknikalitetet. Njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet. Për grupin e punës janë propozuar Gaz Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Clirim Gjata, Ivi Kaso.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Basha ka deklaruar: “Ne jemi në borxh me qytetarët, ata na dhanë besimin, ne duhet të jemi me ta. Gjendja është emergjencë kombëtare. Ky është hap nga pozita e dominimit të forcës popullore. Na takon ne të udhëheqim shqiptarët”.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se në mbledhje po flasin të gjithë deputetët me radhë dhe deri tani asnjë nuk është shprehur kundër lënies së mandatit.
“Duhet të gjejmë hapësirat ligjore për ti dorëzuar që sot. Duhet të ndërtojmë strategji të qartë për tu organizuar fort” ka deklaruar deputeti Ervin Salianji.
Berisha: Ka ardhur koha të përballemi me këtë regjim
Propozimi i Bashës ka gjetur mbështetjen edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sali Berisha: Duhet të ndërmarrim çdo akt që na çon tek rrëzimi i Ramës. Prova e këtij vendimi është nëse ne me aksionin qytetar politik do ti kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë.
Aleatët vendosin pas vendimmarrjes nga PD
Burimet bëjnë me dije gjithashtu se aleatët e Bashës presin vendimin e PD-së dhe pastaj do të vendosin për mandatet.
Në mbledhjen e sotme, Basha do të diskutojë edhe lidhur me mbajtjen e protestës së radhës të enjten, që kësaj here mësohet se do të zhvillohet para Kuvendit dhe jo Kryeministrisë.
Pas PD, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë mbledhje grupi në orën 13 pikërisht për këtë çështje.
Deri tani nga LSI nuk ka pasur asnjë qëndrim. Në një status në Facebook, Kryemadhi dje shkruante se “beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!”
Por në asnjë moment nuk përmendi mandatet.
Propozimin për dorëzimin e mandateve, Basha e artikuloi në një konferencë të posaçme për mediat, 24 orë pas protestës masive në sheshin para Kryeministrisë.
Basha tha se ka lexuar mesazhin e protestuesve, Partia Demokratike ka ezauruar të gjitha rrugët institucionale dhe nuk mund të jetë më fasadë në parlament.
Basha përsëriti thirrjen për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.