SHKRESA ZYRTARE DETYRON BASHKINË TË SHEMB MURET QË KISHIN ZËNË PUSETAT .Ujrat e zeza dhe pellgjet që krijohen pas reshjeve të shiut nuk do të jenë më problem për 2 pallatet e vjetra dhe zonën aty përreth në lagjen “Mar Lula” në rrugën “Gjon Buzuku”. Inspektoriati shtetëror i mjedisit ka detyruar Bashkinë Shkodër që të rrëzojë disa mure shtesë të ndërtuara pa leje gjatë këtyre viteve pas pallateve.
Këto shtesa kanë bllokuar totalisht pusetat që ndodhen aty duke krijuar kështu probleme me ujrat e ndotura që kanë ndenjur gjithmonë në sipërfaqe. Inspektoriati i mjedisit që në shtator të këtij viti ka bërë një inspektim në atë zonë në prani edhe të drejtorit të ujësjellës kanalizime Leonard Kepi që ka për detyrë mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe trajtimin e ujrave për qytetin e Shkodrës. Në këtë mënyrë është konstatuar se pusetat janë të zëna nga shtesat dhe krejtësisht të betonizuara. Në këtë mënyrë Inspektoriati i Mjedisit ka bërë një process-verbal në 30 shtatorin e këtij viti duke e dërguar edhe në Bashkinë Shkodër. Në përshkrimin e process-verbalit thuhet se: “Inspektorët konstatuan se në lagjen “Mar Lula” tek 2 pallatet e vjetra ka probleme me menaxhimin e ujërave të ndotura. Kontaktuam me organet përgjegjëse dhe u la detyrë për zgjidhjen emergjente të situatës”. Kështu pas afro 1 muaji e gjysëm pas kësaj shkrese inspektoriati i ndërtimeve në Bashki ka ndërhyrë për të zbatuar shkresë e inspektoriatit shtetëror të mjedisit. Pas shebjes se mureve pas pallateve pritet që ujrat të mos jenë më problem për banorët dhe qarkullimi aty të kthehet në normalitet edhe gjatë stinës së dimrit. Për shumë kohë ajo pjesë ka sjellë shqetësime për banorët e kalimtarët. Inspektoriati Shtetëror mësohet se do të vijojë me të tilla inspektime për të detyruar Bashkinë të ndërhyjë aty ku duhet ose në të kundërt do të ketë gjoba.