Bashkia Shkodër ka nxjerrë jashtë shoqërinë që administronte deri më tani kinema “Millenium”. Shoqëria I.D.A kishte një kontratë 20 vjeçare me bashkinë e cila ka përfunduar tre vite më parë. Në dy vitet e fundit bashkia Shkodër i ka dërguar tri herë shkresa shoqërisë I.D.A për lirimin vullnetar të kinemasë dhe e fundit është me 31 tetor të këtij viti. Përfaqësuesit e shoqërisë I.D.A kundërshtuan nxjerrjen jashtë të tyre nga bashkia Shkodër por kreu i policisë bashkiake Elton Myrtaj tha se afati për ta liruar vullnetarisht ka përfunduar dhe po ashtu prej vitesh shoqëria I.D.A qëndron në mjediset e kinemasë në kundërshtim me ligjin.
Përfaqësuesi i shoqërisë I.D.A zhvilloi një bisedë telefonike me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës duke kërkuar mbështetjen e policisë por efektivët ishin në mbështetje të policisë bashkiake pasi janë njoftuar me shkresë zyrtare për lirimin e kinemasë.
Policia bashkiake vijoi me inventarizimin në mjediset e brendshme të kinemasë dhe më pas lirimin e godinës nga personat që e administronin deri më tani.
Në shkresën e datës 31 tetor 2023 bashkia Shkodër njofton shoqërinë I.D.A se duhet që të lirojë mjediset dhe afati ishte deri më 8 nëntor në orën 10:00 por ky afat nuk u respektua. Në përgjigje të asaj shkrese, shoqëria I.D.A pretendon se bashkia duhet t’i drejtohet gjykatës për të zgjidhur çështjen e kinemasë. Godina e kinema “Millenium” është amortizuar ndjeshëm në shumë pjesë të saj dhe nevojitet një rikonstruksion i plotë. Më shumë se sa kinema për vite me radhë shërbeu si një lokal. Tashmë pritet të shihet nëse bashkia Shkodër do ta administrojë vetë apo do ta japë me qira përmes ndonjë ankandi.