Në mbi 10 vite bashkia Shkodër nuk ka mundur që të strehojë më shumë se 222 familje në total.
Nga një përllogaritje e thjeshtë nuk janë më shumë se afro 22 familje në vit që kanë mundur të gjejnë strehim nga programet që bashkia ofron. Në total që nga viti 2005 bashkia Shkodër zyrtarisht bën të ditur se janë regjistruar 1880 kërkesa për strehim ndërsa vetëm 222 kanë arritur të përfitojnë. Programi më i kërkuar është ai i pagesave me kosto të ulët të banesave ku të pastrehët përfitojnë kredi me kushte lehtësuese. Në këtë program kanë aplikuar 1814 familje dhe vetëm 166 kanë përfituar në këto 10 vite. Nga programi banesave sociale me qira nuk ka arritur të përfitojë askush pavarësisht 166 kërkesave sepse nuk pa patur ndërtesa që parashikon ky program që ka të bëjë me banesa që ndërtohet aplo blihen në tregun e lirë dhe ku qeveria bën subvencionim e pjesshëm ose të plotë të qerasë. Në programin e tretë atë të paisjes së truallit me infrastrukturë nuk ka asnjë aplikim nga qytetarët. Një tjetër mundësi është ajo e kredive me 0% interes ku që nga 2005 ka 722 aplikime dhe vetëm 56 familje kanë arritur që të përfitojnë duke plotësuar kështu në total numrin e 222 familjeve që kanë arritur të strehohen nga 1880 kërkesa që janë në total. Këto të dhëna janë zyrtare nga ana e bashkisë Shkodër. Krahasuar me nevojën që kanë qytetarët për strehimit situata vijon që të jetë e vështirë dhe kjo pranohet edhe vetë bashkia e cila deklaron se strehimi është një nga problemet e mprehta sociale për qytetin e Shkodrës. 3 programet e strehimit që ofrohen prej të cilave dy prej tyre nuk janë vënë në efiçencë dhe qytetarët nuk kanë arritur të përfitojnë prej tyre, qartazi janë të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat dhe nevojën e madhe për strehim në Shkodër për kategoritë sociale që nuk janë në gjendje social-ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave apo që nuk kanë mundësi kreditimi hipotekor.