Tre institucione në Shkodër rrezikojnë të mbesin në mes të katër rrugëve. Bëhet fjalë për zyrën e legalizimeve ose ALUIZNI siç njihet ndryshe, Entin Kombëtar të Banesave në Shkodër dhe po ashtu zyrën e shërbimit të provës.

Të tri këto institucione ndodhen në një godinë të përbashkët prej disa vitesh. Drejtuesit e këtyre zyrave kanë mbetur të çuditur sepse bashkia Shkodër i ka dërguar një shkresë ku i bën me dije se deri me 14 prill të këtij viti, pra edhe 10 ditë duhet që të lirojnë mjediset e asaj godine sepse është pronë e bashkisë. Shkresa ka mbërritur me 28 mars të 2017-ës duke i lënë në total një afat kohor prej 17 ditësh. Në fakt kjo ka shqetësuar drejtuesit e ALUIZNIT, shërbimit të provës dhe Entit Kombëtar të Banesave. Menjëherë pasi janë njohur me shkresën e bashkisë, secili prej drejtorëve i ka dërguar një shkresë prefekturës së qarkut Shkodër jo vetëm duke i vënë në dijeni por edhe duke iu ankuar për këtë situatë të krijuar dhe të papritur për ta. Drejtori i ALUIZNIT Tonin Marku i është drejtuar prefekturës duke i thënë se “përmes një shkrese të ardhur nga bashkia Shkodër na është kërkuar që të lirojmë hapësirat e institucionit. Kërkojmë nga ana juaj që të merrni masa për zgjidhjen e këtij problemi”-përfundon shkresa. Në fakt legalizimet janë një prej drejtorive me volum të madh pune dhe praktikisht e kanë të pamundur që të spotohen kaq shpejt sepse nuk kanë një vend tjetër ku të shkojnë. Po ashtu Enti Kombëtar i Banesave është njoftuar nga bashkia Shkodër se gjendet aty pa asnjë dokumentacion ligjor. Në shkresën e drejtorit Brian Muriqi drejtuar prefekturës thuhet se ky pretendim i bashkisë nuk qëndron pasi ka një kontratë me bashkinë që në vitin 2010 ndërsa janë likujduar të gjitha detyrimet financiare dhe kërkesa për lirim të godinës dëmton për shërbimin ndaj komunitetit duke i kërkuar kështu prefekturës që të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës. Të njëjtën ankesë ka shprehur edhe zyra e shërbimit të provës në adresë të prefekturës. Tashmë duhet pritur se si do të zgjidhet, nëse tre institucionet do të mbesin apo jo mes katër rrugëve siç kërkon bashkia Shkodër që t’i lirohet prona.

Artikulli paraprakPEDIATRIA, RRITET NUMRI I VIZITAVE NË TERAPINË DITORE
Artikulli tjetërGJOBA S’KA MBËRRITUR NË BASHKINË SHKODËR