Vitin e kaluar, numri i lindjeve në vend shënoi rënien vjetore më të madhe që nga viti 2015 me vetëm 24,688 bebe të lindura, por në disa bashki tkurrja ka qenë dramatike, duke sinjalizuar se në një të ardhme jo të largët, do të mbeten vetëm si toponime.
Të dhëna të detajuara të INSTAT që u publikuan së fundmi mbi lindjet sipas bashkive tregojnë se, gjatë vitit 2022 në Bashkinë e Pukës lindjet pësuan rënien vjetore më të madhe në rang vendi me 40%. Vitin e kaluar në këtë bashki lindën vetëm 55 fëmijë, teksa një vit më parë më 2021 kishin lindur 91 bebe.
Në renditje për rënien e madhe të lindjeve ishin bashkitë e Këlcyrës me 38.6%, Rrogozhinës me 36.3%, Konispolit me 32.7%, Memaliajt me 28.%, Mirditës me 27.7%.
Nga 61 bashki që janë të gjithë vendin në 54 prej tyre lindjet ishin në rënien në krahasim me vitin 2021, dhe në vetëm 7 prej bashki u evidentua rritje.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, lindshmëria pësoi rritjen më të madhe në bashkinë e Delvinës me 21%, me tej në Bashkinë e Libohovës me 19 %, në bashkinë e Sarandës me 14.8%, Himarë me 14%, Përmet me 12%, Tepelenë me 5.5%, Patos me 3.9, Vorë me 3.7%, Tropojë2.6% dhe Peqin me 1.2%.
Në disa bashki l rënia e lindjeve po ndikohet nga emigracioni dhe kushtet e brendshme territoriale.
Zhvendosja e institucioneve publike nga bashkitë në Rajone dhe anashkalimi prej infrastrukturës po ndryshon shpejt strukturën e popullsisë në disa bashki të vogla. Psh shumica e shërbimeve publike në bashkinë e Pukës janë transferuar në Shkodër teksa qyteti mbetet i izoluar në një zonë malore me një distancë të gjatë rrugore nga ofruesit e shërbimeve.
A. Asllani banor i qytetit të Pukës me tre fëmijë në moshë shkollë tha se po mendon të zhvendoset për faktin se prej kohësh në qytet nuk ka dentist. “Për një dhimbje dhëmballe duhet me ik në Shkodër,” tha qytetari.
Siç shihet nga grafiku i mposhtëm rënia më e madhe e lindjeve në përqindje është në bashkitë e vogla, pasi popullsia ka rënë me ritme më të shpejta se mesatarja e përgjithshme e vendit. Duke pasur më pak mundësi punësimi dhe mundësi për rritjen e fëmijëve, banorët e bashkive të vogla janë zhvendosur drejt rajoneve të mëdha. Psh në Bashkinë Dropull kanë lindur vetëm 3 fëmijë në vitin 2022 dhe në disa bashki të tjera të vogla kryesisht në Jug lindjet numërohen me gishta. Rajonet e vendit vuajnë prej dekadash mungesën e politikave të zhvillimit dhe për rrjedhojë ikja e popullsisë prej tyre vijon të jetë një plagë që vetëm thellohet.