Kryetari I bashkisë Shkodër Bardh Spahia ka reaguar kundër vendimit të gjykatës për bashkimin e “Shoqatës së Bashkive me “Shoqatën për Autonomi Vendore”. Sipas kryebashkiakut Spahia, ky vendim është marrë në kundërshtim me çdo proçes të rregullt, statutor dhe ligjor, në kundërshtim me frymën demokratike. Ja reagimi I plotë:
“Jam njohur nga media me një vendim të gjykatës mbi “bashkimin’ e Shoqatës së Bashkive me Shoqatën për Autonomi Vendore. Lajmi për bashkimin e dy shoqatave të bashkive do të ishte padyshim një lajm i shumëpritur sikur të ishte paraprirë nga negociata të vërteta e domethënëse mes dy palëve, kryetarë bashkish të majtë e të djathtë. Por e vërteta është shumë më ndryshe.
Në kushte të mungesës së përkohshme të përfaqësimit të partive të djathta në pushtetin vendor, me përjashtimin e vetëm të Bashkisë Shkodër, Shoqata për Autonomi Vendore nisi një seri veprimesh aspak të moralshme për shuarjen e Shoqatës së Bashkive, shoqata e parë e pushtetit vendor në Shqipëri.
Në kundërshtim me çdo proçes të rregullt, statutor dhe ligjor, në kundërshtim me frymën demokratike, socialistët me forcën e pushtetit dhe dëshirën për të kontrolluar çdo gjë, janë organizuar për të uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Asnjë nga bashkitë që kanë marrë këtë vendim nuk ka qenë anëtare e Shoqatës së Bashkive.
Asnjë prej tyre nuk ka marrë pjesë në veprimtarinë e saj dhe asnjë nuk ka paguar detyrimin statutor të kuotës së anëtarësisë, as këto dy vitet e fundit që socialistët morën kontrollin politik të shoqatës.
Bashkia Shkodër ka qenë anëtare dhe kontribuese dhe ajo duhet të ishte njoftuar për çdo lloj veprimi që do të ndikonte mbi të ardhmen e kësaj shoqate.Të thuash sot se kemi një Shoqatë të Autonomisë Vendore që përfaqëson bashkitë pa dallim politik, është asgjë më shumë se gënjeshtër, gënjeshtër që do të jetë akoma më e madhe pas disa muajsh, kur të kryhen zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Bashkia Shkodër nuk është pjesë e saj dhe nuk do të pranojë të jetë anëtare në një organizatë shërbëtore të qeverisë. Sot, si i zgjedhur nga vota dhe me zgjedhje pluraliste në një nga bashkitë më të mëdha të vendit, rezervoj të drejtën të përfaqësohem vetë në çdo marrëdhënie me partnerë, donatorë dhe në çdo proçes lobimi dhe advokimi.
Për këto arsye, ju kërkoj të reflektojnë urgjentisht dhe të anullojnë këtë vendim aspak demokratik dhe haptazi në shkelje të parimeve të autonomisë së organizimit të shoqërisë civile. Vëmë në vëmendjen e të gjithë kancelarive të huaja që mbështesin Shqipërinë, demokracinë vendore dhe shoqerinë civile të reflektojnë mbi çdo veprim që nuk prodhon të mira për demokracinë.”